Të akuzuarit Egzon Azemi dhe Luan Hoti gjatë seancës së datës 03.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.
Dështon sërish seanca e gjykimit të ish-asamblistit të LVV-së dhe të tjerëve, të akuzuarit refuzojnë mbrojtjen e siguruar nga shteti
Mungesa e njërit prej të akuzuarve ka rezultuar me dështimin e një tjetër seance në Gjykatën e Prishtinës në rastin e të akuzuarve Egzon Azemi, Luan Hoti dhe Naim Bunjaku, të akuzuar për protestën në të cilën kishin pësuar lëndime tre zyrtarë të Policisë më 17 dhe 18.11.2015.
Ata po akuzohen për veprat penale – Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm, dhe – Sulm ndaj personit zyrtar.
Dështimit të kësaj seance përveç mungesës së Naim Bunjakut i kontribuoi edhe kërkesa për shtyrje e bërë nga avokatja e këtij të fundit, Shemsije Asllani, e cila deklaroi se akoma nuk i kishte të gjitha shkresat e lëndës.
I akuzuari Egzon Azemi, ish-asamblist i LVV-së në Prishtinë (momentalisht shef i kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia), deklaroi se nga biseda përmes telefonit me të akuzuarin Naim Bunjaku ishin njoftuar se ai do të mungojë në seancë për shkaqe shëndetësore për çka e kishte njoftuar Gjykatën me e-mail.
“Jam caktu sipas detyrës zyrtare për të pandehurin Naim Bunjaku. Naimit i uroj shëndet, e kuptova vetëm tani [që është i sëmurë]. Kërkoj të shtyhet seanca që të pajisem edhe me shkresa të tjera të lëndës!” – deklaroi avokatja Shemsije Asllani.
Në anën tjetër, dy të akuzuarit e tjerë, Egzon Azemi dhe Luan Hoti, e refuzuan mbrojtjen e avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare për ta nga Oda e Avokatëve e Kosovës.
Madje i akuzuari Egzon Azemi deklaroi se edhe po ta pranojë mbrojtjen e avokatit të caktuar për të sipas detyrës zyrtare i njëjti nuk do të mund t’i ofronte mbrojtje.
“Po, e refuzova normalisht mbrojtjen jo për naj arsye personale po e para edhe me dashtë me na mbrojtë avokatët që e marrin lëndën sot, unë jam i bindun që avokati nuk e di hala aktakuzën të cilën e kemi, rrjedhimisht edhe po t’i pranonim nuk do të mund të ofronin mbrojtjen” – deklaroi i akuzuari Egzon Azemi.
“Konfirmoj se i kemi pasur shkresat dhe jemi të përgatitur” – u kundërpërgjigj avokati në zëvendësim i mbrojtësit të caktuar sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Egzon Azemi, avokati Besim Curri.
Njëlloj e refuzoi mbrojtjen sipas detyrës zyrtare të avokatit Shkëlzen Behrami i akuzuari Luan Hoti, i cili po ashtu potencoi se nuk ka arsye personale për këtë por thjesht nuk dëshiron të ketë mbrojtës.
“Sa i përket propozimeve të të pandehurve lidhur me refuzimin e avokatëve, gjykata do të vendosë në seancën tjetër. Ndërsa meqenëse sot nuk prezanton i pandehuri Naim Bunjaku dhe mbrojtësja e tij e caktuar sipas detyrës zyrtare nuk është e pajisur me shkresat e lëndës seanca e shqyrtimit fillestar shtyhet me datë 18.09.2024, në ora 9:00” – mori vendim gjyqtari Eroll Gashi.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur ndaj 6 personave, por procedura ndaj tre të akuzuarve të tjerë ishte veçuar.
Çka thotë aktakuza për këtë rast?
Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit Egzon Azemi, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Luan Hoti, Ardian Huli e Naim Bunajku, më datë 17 dhe 18 nëntor 2015, rreth orës 12:00 deri rreth ora 20:00, kishin marrë pjesë në protestë e cila kishte eskaluar.
Të njëjtit akuzohen se kishin sulmuar me gurë dhe kubëza betoni e mjete tjera të forta zyrtarët policorë Ismail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa.
Dosja thotë së zyrtarët policorë kishin marrë lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin nga këto sulme dhe për të njëjtat kishte ekspertizë mjekoligjore.
Provat me të cilat Prokuroria e mbështet akuzën e saj janë dëshmitë e zyrtarëve policorë të lënduar, dëshmitë edhe të dy pjesëtarëve tjerë të Policisë, ekspertiza mjekoligjore, raporti i policisë, foto-dokumentacion, CD me incizime dhe shkresa të tjera.
Çka kanë thënë të akuzuarit para Prokurorisë?
Sipas dosjes, i akuzuari Naim Bunjaku ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur duke e pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.
Kurse të akuzuarit Veron Hasani, Egzon Azemi, Luan Hoti dhe Ardian Huli e kanë shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Kushtrim Avdimetaj para Prokurorisë e ka pranuar pjesëmarrjen e tij në protestë, por ishte shprehur shumë i sigurt se nuk e ka lënduar ndokënd, pasi kishte gjuajtur në distancë prej 15-20 metrash.
Aktakuza në këtë rast përfaqësohet nga prokurori Blerim Igrishta.
Kallxo.com e ka pyetur Gjykatën e Prishtinës se sa seanca kanë dështuar deri më tani në këtë rast penal ndaj të akuzuarve Egzon Azemi, këshilltar politik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sekretar i LVV-së në Prishtinë, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Luan Hoti, Ardian Huli e Naim Bunajku. Mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, Gjykata nuk ka kthyer përgjigje.