Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Dështon sërish miratimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor

Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe sot ta miratojë në parim Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor.

Ndonëse kjo pikë e rendit të ditës është hedhur në votim dy herë në seancën e sotme, Projektligji mori më pak se 60 vota.

“Vetëm 51 deputetë po votojnë, shumë deputetë nuk po votojnë, nuk ka vullnet siç duket” – ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ai ka njoftuar se Projektligji i bartet seancës së ardhshme.

Kuvendi për të disatën herë është duke dështuar që ta miratojë këtë Projektligj për shkak të pjesëmarrjes së ulët të deputetëve në votimin e këtij Projektligji.

Edhe në seancën e 24 majit kjo pikë e rendit të ditës është hedhur në votim dy herë, ku kanë marrë pjesë vetëm 59 deputetë, ndonëse në sallë kanë qenë të pranishëm rreth 80 deputetë.

Dështon miratimi në parim i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor

Në mars të këtij viti ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani atë kohë pati thënë se duhet të rishikohet Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor për shkak se, sipas tij, cenon familjen për vlerat e së cilës thotë se angazhohet.

Njëjtë si sot, Kuvendi i Kosovës as në mars nuk pati kuorum për miratim të këtij Projektligji, pasi nuk kanë marrë pjesë të gjithë deputetët në votim.

Bogujevci thotë se i kishte shkuar në mendje të bëhej nënë në bazë të asaj çka ofronte shkenca