Dështon seanca për Liburn Aliun (VIDEO)

 

Seanca ku i akuzuar është Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dështoi të mbahet sot.

Ministri i Qeverisë Kurti 2, do të përballet në gjykatë me një akuzë të ngritur, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përveç tij në këtë rast janë të akuzuar edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.

“Hapim seancën fillestare kundër të pandehurve Liburn Aliu, Zejnullah Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi, për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha Ajvazi.

Gjyqtari evidenton prezencën e të pandehurve në seancë dhe vërejti se njëra nga të akuzuarat mungon.

“Mungon e pandehura Bahtie Uka, për të cilën përmes parashtresës të datës 02.04.21, nga mbrojtësi i saj, avokati Destan Rukiqi, nuk ka mundur të prezantoj në seancën e sotme për shkak të lëndimeve në këmbë për të cilën gjykatës i ka dorëzuar edhe raportin mjekësor”, tha Ajvazi.

Në mungesë të kushteve ligjore gjyqtari merr vendim që kjo seancë të shtyhet.

“Trupi gjykues merr aktvendim që në mungesë të kushteve ligjore shqyrtimi i sotëm nuk hapet dhe i njëjti caktohet për datën 30 prill 2021”, tha Ajvazi.

Prokuroria e Shtetit Dulina Hamiti për fund njoftoi se të gjitha palët janë pajisur me shkresat e lëndës në këtë mënyrë demantoi pretendimet e mëhershme të të akuzuarve që nuk i kanë pranuar shkresat e lëndës.

“Mbrojtësi i të akuzuarit Liburn Aliu ka marrë shkresat e lëndës,…”, tha Hamiti.

Për këto pretendime të prokurorisë pati disa kundërshtime nga ana e avokatëve.

Seanca u mbyll dhe u caktua të vazhdoj më 30 prill.

Pas dështimit të seancës, ministri Liburn Aliu u prononcua shkurt për media, duke thënë që më mirë do të ishte që të jepte një deklaratë të mirëfilltë kur të mbahet seanca meqë e sotmja dështoi.

“Seanca u shty për datë 30 prill, tek mbas kësaj date mbase do të mund të bëjmë deklaratë tamam si duhet, deri atëherë është herët”, tha Aliu.

Ministri nuk pranoi pyetje të mëtutjeshme.