Dështon seanca për kontestin mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse, gjykata nuk ua dërgoi ftesat palëve

Për shkak të mos dërgimit të ftesave në mënyrë të rregullt, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për padinë e Universitetit të Prishtinës ndaj Kishës Ortodokse “Sveti Nikolla”.

Gjyqtari Jovica Mitroviq, në fillim të seancës deklaroi se Gjykata ka bërë një lëshim duke mos dërguar në mënyrë të rregullt ftesa për pjesëmarrjen e palëve në procedurë.

“Kërkoj falje që ka ardhur deri te një lëshim, nuk kemi mundur në mënyrë të rregullt t`i dorëzojmë ftesat, ndërsa sot nuk mund ta mbajmë shqyrtimin gjyqësorë”, tha gjyqtari Mitroviq.

Më pas i njëjti shtoi se gjykata me datë 1 mars 2021 ka pranuar një parashtresë nga përfaqësuesi i UP-së, i cili ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Esat Kelmendi, i cili njëherit është edhe sekretari i UP-së, sot ishte i pranishëm në gjykim në rolin e përfaqësuesit ligjor të UP-së edhe pse nuk kishte pranuar ftesë nga Gjykata.

Kurse ai potencoi se për seancën e sotme ishte i informuar nga postimi i KALLXO.com, për seancën në fjalë, duke kërkuar nga Gjykata që seanca e sotme të shtyhet dhe e njëjta të mbahet brenda afatit 30 ditorë.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme dështoi të mbahet kurse ajo e radhës u caktuar për datë 25 mars 2021.

Ka më shumë se tre vite pasi Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar, këtë padi në Gjykatë lidhur me një parcelë toke brenda kampusit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Padia e UP-së që u dorëzua në fund të vitit 2017, ka të bëjë me pronësinë e tokës e cila gjendet në kampusin e këtij Universiteti dhe të cilën e ka momentalisht në pronësi, Kisha Ortodokse “Sveti Nikolla”.

Kujtojmë se në mars të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj Kishës Ortodokse lidhur me pronësinë e tokës.

Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr këtë padi si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq, përkatësisht në seancat që u mbajtën në vitin 2015.

Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015, kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para Kishës ortodokse që gjendet brenda tokës së kontestuar.

Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit në vitet 1990-ta, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës