ARKIV - Rasti 'Çekiçi' - 21.01.2020

Dështon seanca në rastin e njohur si ‘Çekiçi’

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Naim Hajrizit, rast i njohur në publik si rasti ‘Çekiçi’.

Prokuroria i akuzon, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu, për vrasjen e Naim Hajrizit.

Arsye e mos mbajtjes së seancës, ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, ka bërë të ditur se anëtarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku, për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë e pranishme në seancën e sotme.

Më pas, trupi gjykues mori vendim dhe seancën e radhës e caktoi me datën 2 dhjetor.

Kujtojmë së gjykata në korrik të vitit 2015 kishte dënuar Retkocerin dhe Spahiun me nga 30 vjet burgim për vrasjen e tani të ndjerit Hajrizi.

Por Apeli për shkak të shkeljes se dispozitave procedurale e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin  dhe Osman Spahiun se me datën 29 prill 2009 ka rrëmbyer Naim Hajrizin dhe e ka mbytur duke e goditur me mjete të forta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupi e tij.

Blindohet gjykata për seancën në rastin ‘Çekiçi’