Dështon seanca në rastin e 400 kg kokainë, mungon njëri nga të akuzuarit

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca për rastin e 400 kg kokainë që ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipianit në maj të vitit 2021. Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e bartte atë.

Arsyeja për dështimin e seancës sot ishte mungesa e të akuzuarit Kadri Sheqiri dhe mbrojtësit të tij.

Të akuzuar në këtë rast janë Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, për veprat penale pjesëmarrje apo organizim i grupit kriminal, blerje, posedim ose shitje e paautorizuar e narkotikëve. Izet Sheqiri në pikën dy të aktakuzës, po akuzohet edhe për veprën penale  posedim të paautorizuar të armës.

Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina akuzohen për veprën penale pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Ndaj Naim Morinës është veçuar procedura penale dhe sot Gjykata e Prishtinë e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë për veprën penale pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, nga koha e pacaktuar e deri në maj të vitit 2021, të pandehurit duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal, me vetëdije secili prej tyre kanë vepruar në forma të ndryshme me qëllim të realizimit të këtij aktiviteti kriminal.

Të njëjtit duke bashkëpunuar me njerëz të panjohur nga Brazili dhe duke shfrytëzuar kompaninë “MC FOOD”  që si aktivitet primar kishin importimin e produkteve të mishit, fillimisht kanë lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kompanisë “SEARA” nga Brazili për importim të produkteve të mishit të pulës e ku në brendi të saj është vendosur substanca narkotike.

Të pandehurit duke e pasur parasysh faktin se kompania “”MC FOOD” ka qëllime të importit të mallrave, e ku në stacionet doganore nuk bëhet kontrollimi i mallrave por vetëm i dokumenteve e duke e shfrytëzuar këtë mundësi kanë arritur që substanca e llojit kokainë prej rreth 400 kg të transportohen nga Brazili përmes Spanjës, Italisë dhe Shqipërisë e deri sa është futur në Republikën e Kosovës përkatësisht është vendosur në kompaninë “MC FOOD” me qëllim që kjo sasi e narkotikut të shitet dhe shpërndahet.

Më 17 maj 2021, droga e transportuar është kapur dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucione të tjera ndërkombëtare të sigurisë.