Gjyqtari referues Vaton Durguti gjatë seancës në Gjykatën e Apelit për rastin e rrahjes së gazetarit Valon Syla, 27.08.2024.
Dështon seanca në Apel ndaj të akuzuarve që sulmuan gazetarin Valon Syla
Në Gjykatën e Apelit më 27.08.2024 ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për rrahjen e gazetarit Valon Syla. Seanca dështoi për shkak të mos përmbushjes së kushteve ligjore.
“Fletëkthesat nuk na janë kthy me përjashtim të Okan Hasanit – për të cilin është konstatu se adresa është e pasaktë, për të tjerët nuk kemi fletëkthesa nëse janë njoftu [të akuzuarit] në mënyrë të rregullt [për mbajtjen e seancës]” – tha gjyqtari referues Vaton Durguti.
Më tutje gjyqtari Vaton Durguti i pyeti mbrojtësit nëse ata kanë kontaktuar me të akuzuarit.
Avokatët deklaruan se nuk kanë kontakt me të akuzuarit.
“Gjyqtar po flas personalisht nuk kemi kontakt direkt me palën për rrethanat që i dini. As nuk kemi numër kontakti”– është përgjigjur mbrojtësja e të akuzuarit Lum Dervishi, avokatja Mimoza Zabeli- Sinani.
“Nuk jam në dijeni gjyqtar as unë, nuk kam kontakt” – deklaroi mbrojtësi i të akuzuarit Okahn Hasani, avokati Rrahim Ajeti.
Kurse avokati Kushtrim Palushi deklaroi se Valon Syla është njoftuar për seancë.
“Meqë nuk janë plotësu kushtet seanca nuk do të mund të mbahet” – deklaroi gjyqtari referues Vaton Durguti.
Më 07.12.2024 Gjykata e Prishtinës shpallur fajtor Lum Dervishin, Okan Hasanin dhe Kenan Hasanin lidhur me rrahjen që tre të akuzuarit sipas prokurorisë i kishin bërë gazetarit Valon Syla më 11 prill të këtij viti në Prishtinë. Secili veç e veç ishte dënuar nga dy vite dënim me burgim.
Ky aktgjykim ishte ankimuar nga Prokuroria, si dhe mbrojtja e Lum Dervishit, Kenan Hasanit dhe Okan Hasanit.
Avokati Kushtrim Palushi ka konfirmuar se si palë të dëmtuara nuk kanë ushtru ankesë.
Në seancë nuk ishte i pranishëm as gazetari Valon Syla me cilësinë e të dëmtuarit dhe asnjë nga të akuzuarit.
I pranishëm ishte përfaqësuesi i Valon Sylës avokati Kushtrim Palushi si dhe mbrojtësja e të akuzuarit Lum Dervishi, avokatja Mimoza Zabeli Sinani dhe mbrojtësi i të akuzuarit Okan Hasani, avokati Rrahim Ajeti. Të dy këta mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Avokatët Rrahim Kajtazi dhe Kushtrim Palushi e informuan gjyqtarin referues Vaton Durguti se mbrojtësi i Kenan Hasanit, avokati Ridvan Ajeti është tërhequr nga përfaqësimi i të akuzuarit në fjalë sepse ka ndërruar profesion duke u bërë noter.
Në fund të seancës gjyqtari Vaton Durguti i njoftoi avokatët se për shkak të ndryshimit për përbërjen e trupit gjykues do të njoftohen me kohë.
Momentalisht ndaj të akuzuarve nuk ka ndonjë masë sigurie dhe të njëjtit ndodhen në liri.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 09.09.2024.
Pas këtyre deklarimeve dy nga tre të akuzuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla kishin refuzuar të ngriten në këmbë në gjykimin ndaj tyre në seancën fillestare të mbajtur ndaj tyre.
Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit me datën e lartcekur në orët e vona të mbrëmjes, për motive ideologjike, ekstreme radikale Islamike, kanë lënduar lehtë të dëmtuarin Valon Syla.
Pas një publikimi që ky i fundit kishte bërë në rrjetin e tij social në Facebook, e që kishte të bënte me profetin Muhamed.
Të njëjtit e kishin përcjellë të dëmtuarin nga televizioni T7, deri në restorantin në lagjen Bregu i diellit “Imagine”, ku kanë filluar ta sulmojnë me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Kështu i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Kështu të njëjtit sipas Prokurorisë Speciale kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje.