Dështon seanca ndaj zyrtarit të MASh-it, i akuzuar për ryshfet

Seanca kundër Musa Shalës, zyrtarë i inspektimit të projekteve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) i akuzuar për marrje ryshfeti ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e sotme, që ishte paraparë të dëgjohet një dëshmitar,  ka munguar i akuzuari Shala dhe avokati i tij  Fehmi Shala.

Gjyqtarja Alltëne Murseli, njoftoi se të njëjtit kanë qenë të njoftuar për mbajtjen e seancës nëpërmjet procesverbalit të seancës së fundit, mirëpo ata kishin keqkuptuar orën e mbajtjes së seancës.

“Zyrtarja ligjore bisedoi në telefon me palët dhe ata e njoftuan se ka ndodhur një lloj keqkuptimi, sepse kanë menduar se seanca do të mbahet në orën 13:00”, tha gjyqtarja Murseli.

Në  mungesë të kushteve ligjore, seanca ka dështuar të mbahet dhe është shtyrë në afat të pacaktuar.

Për këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Mustafë Mustafa, mirëpo për të ka pushuar procedura për shkak të vjetërsimit të rastit.

Sipas aktakuzës, Musa Shala dhe Mustafë Mustafa akuzohen për keqpërdorim te detyrës zyrtare, ndërsa Musa Shala edhe për marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës i pandehuri, Musa Shala si person zyrtar në mënyrë të drejtpërdrejt ka kërkuar dhe pranuar përfitim në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, me datë 25.05.2011 duke kryer kështu veprën marrje ryshfeti.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se, Shala duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij me qëllim që të përfitojë dobi dhe të keqpërdoret pasuria e Qeverisë së RKS, në atë mënyrë që si zyrtar i inspektimit të projekteve, në dosjen e tenderit me emër “ Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme” me datë 14.02.2011 ka nënkontraktuar  kompaninë “Ndërtimtari”,  i përfaqësuar nga i ish i akuzuari  Mustafë Mustafa, e me këto veprime Shala akuzohet se ka kryer veprën Keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Pra, procedura po vijon vetëm për veprën Marrje ryshfeti ndaj të akuzuarit Musa Shala.