Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Dështon seanca ndaj të akuzuarve lidhur me protestën e dhunshme në vitin 2015
Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj, të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” dhe ndaj të pandehurit Egzon Azemi i cili po akuzohet për veprën penale “asgjësim, apo dëmtim i pasurisë” në vitin 2015.
Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është për shkak se nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësorë pasi në këtë seancë nuk prezantoi askush nga prokuroria e shtetit po ashtu as të akuzuarit, Veron Hasani, Valmir Osmanaj dhe Egzon Azemi nuk ishin prezent.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më datë 17.12.2024 nga ora 13:15.
Kjo çështje po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës se Prishtinës nga gjyqtari Adnan Kamberi.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë të pandehurit Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj më datë 12.10.2015, diku pas orës 00:05 minuta, në Rr. ”Luan Haradinaj” dhe “Migjeni” në Prishtinë, kanë vepruar në atë mënyrë që me qëllim të dëmtimit të personave zyrtar – pjesëtarëve të policisë së Kosovës, gjatë protestës së Vetëvendosjes me veprime të dhunshme, huligane, ka hedhur mjete të forta, gurë, kuba-katror të betonit në drejtim të policisë dhe në drejtim të objektit të Stacionit Policor Qendra duke thyer kështu xhama dhe dëmtuar muret e këtij objekti, me që rast kanë shkaktuar dëme me pasoja të rënda.
Me këtë të pandehurit secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi’.
Tutje sipas dosjes së prokurorisë më datë 12.10.2015, diku pas orës 00:05 minuta, në Rr. ”Luan Haradinaj”, në Prishtinë, gjatë protestës së Vetëvendosjes, i pandehuri me dashje dhe me veprime të dhunshme, huligane, ka hedhur mjete të forta, gurë, kuba-katror të betonit në drejtim të veturave zyrtare, me që rast e ka dëmtuar veturën zyrtare të tipit “VW Sharon”, pronë e parkuar para objektit të Këshillit Prokurorial.
Me këtë të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘asgjësim, apo dëmtim i pasurisë’.