Dështon seanca ndaj të akuzuarit që s'e lajmëroi grupin që planifikonte sulm terrorist ndaj kombëtares së Izraelit
Ka dështuar të mbahet seanca dëgjimore lidhur me shqyrtimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë në çështjen penale ndaj të akuzuarit Kushtrim Hoxha për veprën penale “fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste”.
Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është për shkak se i akuzuari Kushtrim Hoxha nuk ishte prezent.
I akuzuari Kushtrim Hoxha gjendet nën masën e arrestit shtëpiak që nga data 16.09.2024.
Seanca e radhës pritet që të mbahet javën e ardhshme më 12.11.2024.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga gjyqtari Rrahman Beqiri ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special, Bekim Kodraliu.
Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë për të akuzuarin Kushtrim Hoxha? Sipas dosjes së Prokurorisë gjatë muajit tetor – fillimi i nëntorit 2016, i pandehuri Kushtrim Hoxha, është takuar dhe ka marrë pjesë në biseda të vazhdueshme me tani të dënuarit V. I., B. I., L. V., F. G., K. P., A. A., L. G., L. M., dhe B. P., për vepra penale të terrorizmit.
Në aktakuzë thuhet që i njëjti ka qenë në dijeni për ekzistimin e këtij grupit terrorist, dhe veprimet përgatitore që i kanë planifikuar t`i ndërmarrin për kryerjen e aktit terrorist- – sulm me eksploziv ndaj lojtarëve dhe tifozëve të Klubit Futbollistik të Kombëtares së Izraelit në ndeshjen që do të zhvillohej në Shkodër, më datë 12.11.2016.
Tutje sipas aktakuzës me reagimin e organeve të drejtësisë të Kosovës dhe bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, një sulm i tillë ishte ndaluar, ndërsa i pandehuri Kushtrim Hoxha edhe pse kishte qenë i njoftuar për këto veprime të këtij grupi terrorist, i njëjti i kishte fshehur dhe nuk i kishte lajmëruar tek organet kompetente.
Me këtë i pandehuri Kushtrim Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste”.