Dështon seanca ndaj policit të Krimeve Ekonomike lidhur me tenderin 730 mijë euro

Ish-polici i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Jeton Menxhiqi, i akuzuar se ka keqpërdorur detyrën zyrtare ishte paraprë që  sot  të ulej në bankën e të akuzuarit.

Mirëpo Menxhiqi nuk ishte mirë me shëndet dhe gjykatës i kishte dërguar raport mjekësor për të arsyetuar mungesën në seancën e sotme.

Gjyqtari i rastit Beqir Kalludra tha se nuk ka vendosur ende se kur do të mbahet seanca e radhës. I njëjti po ashtu nuk ka ardhur fare në sallën e gjykimit për të konstatuar shkakun e shtyrjes së seancës gjyqësore.

Aktakuza thotë më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, i akuzuari  duke përfaqësuar Drejtorinë e Krimeve Ekonomike, në cilësinë e personit zyrtar si anëtar i komisionit në tenderin “ Furnizim me rroba elegante” për tenderin  në vlerë prej 730 mijë euro ka bërë ndërrimin e mostrave të prokurimit në favor të operatorit “ Artious Group SHPK”.

Sipas prokurorisë, komisioni prej 3 anëtarëve kishte vlerësuar se asnjëri nga 8 operatorët ekonomikë që kishin aplikuar për tenderin në fjalë nuk i kishin plotësuar kushtet për fitimin e tenderit.

Aktakuza përshkruan se atëherë, i akuzuari Menxhiqi, në ora 12 e 42 min, deri sa ishte duke qëndruar në zyrë, merr çelësin në mënyrë të kundërligjshme dhe pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit në kohë të pauzës ka shkuar në Zyrën e Prokurimit dhe ka ndërruar mostrat duke i vendosur mostrat e sjella nga jashtë në paketën e operatorit ekonomik “ Artious Group” me qëllim që ky operator të fitonte tenderin sipas ofertës së tyre që ishte 506 mijë e 212 euro e 20 cent.

(Shënim: Shkrimi është edituar më datë 21.06.2022, për shkak të lëshimit të një gabimi tek pozita e të akuzuarit jeton Menxhiqi)