Dështon seanca ndaj policëve të akuzuar për krim të organizuar

Ka dështuar seanca e paraparë të mbahet sot ndaj policëve të akuzuar për krim të organizuar.

Sipas kryetares së trupit gjykues Violeta Namani seanca nuk ka kushte të mbahet pasi që mungon anëtarja Suzana Qerkini.

Për mungesën e saj Namani njoftoj se ajo gjendet në një udhëtim zyrtar.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 15 maj 2014 ka ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve policorë: Hasip Kikit, Bekim Sylejmanit, Samet Ballazhit, si dhe të tjerë për krim të organizuar në lidhje me kontrabandimin e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe në Serbi.

Sipas aktakuzës, në krye të këtij grupi kriminal qëndronin Imer Azemi, Qerim Kurtishi dhe Kadri Kurtishi, të cilët kishin themeluar grupin kriminal me qëllim të kontrabandimit  dhe eksportimit te mallrave në Kosovë, Serbi dhe anasjelltas.

Qerim Kurtishi sipas Prokurorisë ka menaxhuar kontrabandimin e mallrave me personat e tjerë, ndërsa zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi si zyrtarë policorë u kanë mundësuar të pandehurve që t’i transportojnë lirshëm këto mallra pasi kishin marre ryshfet.

Ndër të akuzuar në  këtë rast ishin edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, por ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Aktakuza e PSRK-se përshkruan se Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi kanë bërë organizimin e mallit me transport në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, ku më pas kanë bërë shitblerjen e mallit, duke e marrë me qira dhe duke e dërguar ne kompanitë në Prishtinë dhe Ferizaj.

Tutje në aktakuzë thuhet se polici Kiki në vitin 2013 e kishte mashtruar eprorin e tij kinse prokurori kujdestar në Ferizaj urdhëroi që Imer Azemin dhe Qerim kurtishin t’i marrë në pyetje si dëshmitarë e jo si të dyshuar për kontrabandim të mallit.

Për shërbimet e tij Kiki sipas aktakuzës kishte marrë tre libra një telefon dhe pagese mujore të kabllovikut.

Në lidhje me këtë rast vite më parë ka raportuar KALLXO.com.

Japin mbrojtjen policët e akuzuar për krim të organizuar