Dështon seanca ndaj Nuredin Lushtakut dhe vëllezërve të tij, akuzohen për sulm ndaj zyrtarëve të Policisë

 

Në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar të mbahet seanca e datës 13.11.2024 ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe dy vëllezërve të tij, Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka bërë të ditur se është kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, me një parashtresë nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri.

Pasi që Nuredin Lushtaku paraprakisht kishte të caktuar një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë në lidhje me rastin e quajtur “veteranët”.

Të akuzuar se u përfshinë në incidentin ku kishte mbetur i plagosur një polic i Kosovës, Faton Lushtaku, Arif Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku, gjatë seancës më 01.10.2024 deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për akuzat që u vihen në barrë.

Rasti në fjalë po udhëhiqet nga kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, me anëtarët Ajser Skenderi dhe Lulzim Hoxha.

Rasti në fjalë pretendohet se ndodhi për shkak të shqiptimit të një gjobe trafiku djalit të Nuredin Lushtakut për mosvënie të rripit të sigurisë.

Kjo gjobë dyshohet që çoi në përleshje fizike të 3  vëllezërve Lushtaku me dy zyrtarët policorë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se më 03.07.2022, rreth orës 23:45, në Skenderaj, të pandehurit së bashku i kanë sulmuar zyrtarët policorë E. B. dhe M. G., të cilët duke zbatuar kontrollin rutinë i kanë shqiptuar një tiketë dëshmitarit Arbër Lushtaku për shkak të mosvënies së rripit të sigurisë.

Aktakuza thotë se dëshmitari Arbër Lushtaku kishte thirrur në telefon prindin e tij, Nuredin Lushtaku, i cili vjen menjëherë bashkë me dy vëllezërit e tij, Faton e Arif Lushtaku, dhe fillon të fjaloset me zyrtarët policorë.

“I pandehuri Nuredin Lushtaku fillon të fjaloset me zyrtarin policor E.B. duke iu drejtuar me fjalët: ‘Pse e ke ndalë këtë djalë? Çka është problemi? Çka ka bërë djali?’. Dhe kur i dëmtuari-polici i është përgjigjur se e kemi ndalë për shkak të mosvendosjes së rripit të sigurisë, i pandehuri Nuredin i drejtohet policit: ‘Djali dhe shokët e tij e kanë pasë’, ‘ti je një idiot’.

I dëmtuari E.B. i përgjigjet me fjalët: ‘Unë kam respekt për ty’, ndërsa i pandehuri Nuredin ia kthen me fjalët: ‘Nuk më duhet respekti juaj… ta q* nanën” – përshkruhet në aktakuzë. Tutje në aktakuzë thuhet se pas kësaj zyrtari policor ka njoftuar bazën duke kërkuar ndihmë, dhe në këtë rast të pandehurit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku i janë afruar të dëmtuarit duke krijuar një hark, të tre kanë nxjerrë armët, ku Nuredin Lushtaku e kishte drejtuar armën në pozitë të gjuajtjes në drejtim të të dëmtuarit E.B.

Sipas dosjes, atëherë i dëmtuari e kishte nxjerrë armën, ishte tërhequr prapa dhe kishte dhënë urdhër verbal: “Ndal!”, “Ndal!” dhe më pas kishte shtënë dy herë me armë në ajër.

Në këtë moment të pandehurit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku i janë vërsulur të dëmtuarit dhe me dorëz të armëve të shkurta të cilat i mbanin në duar e kanë goditur në kokë të dëmtuarin E.B., i cili nga goditjet është rrëzuar në tokë dhe të pandehurit e kanë goditur me grushte duke tentuar t’ia heqin armën.

“Në atë moment ishte dëgjuar një e shtënë e armës nga e cila ishte goditur i dëmtuari-polici M.G. në këmbë i cili kishte tentuar që t’i ndalë të pandehurit”-shpjegohet në aktakuzë.

Ndërkaq, i pandehuri Faton Lushtaku kishte arritur t’ia rrëmbejë armën policit-të dëmtuarit E.B. dhe në atë kohë arrin edhe polici-dëshmitari, Xh. M., i cili ka tentuar t’ia largojë armën të pandehurit duke i thënë: ‘Mos gjuaj Nuredin! Lëshoje armën!’ si dhe e kishte nxjerrë sprejin dhe ka hedhur në drejtim të të pandehurve.

Në ato momente, sipas Prokurorisë, kishte ndërhyrë edhe polici B.B. duke tentuar t’i largojë të pandehurit nga i dëmtuari, i cili ka dëgjuar të pandehurit duke thënë: ‘Ia morëm armën’ dhe më pas të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre. Dy policët, sipas Prokurorisë, kanë marrë lëndime trupore nga goditjet dhe arma e zjarrit.

Me këtë të pandehurit, sipas Prokurorisë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – sulmi ndaj personit zyrtar.

Aktakuza Faton, Arif dhe Nuredin Lushtakun i ngarkon edhe për veprat penale – armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni duke klikuar në këtë – LINK.