Seanca ndaj të akuzuarit për keqpërdorim detyre, Durim Sheremeti FOTO-Vyrtyte Gërvalla/BIRN
Dështon seanca ndaj ish-shefit të kabinetit të Gazmend Muhaxherit
Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor ndaj ish- shefit të kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremetit.
Sheremeti po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Krahas tij si të akuzuar për këtë rast janë edhe Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala, po ashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe i akuzuari Ilir Kelmendi për mashtrim.
Seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Sheremeti.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, gjykata ka pranuar një shkresë nga mbrojtësi i të akuzuarit Sheremeti që arsyeton mungesën me shkaqe shëndetësore.
Prezent nuk ishte as përfaqësuesja e komunës e cila nuk e ka arsyetuar mosardhjen e saj.
Në këto rrethana seanca e sotme është shtyrë për datën 25 shkurt.
Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, akuzohet se në këtë pozitë, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit pa qenë i autorizuar për nënshkrimin e këtij raporti. Me këtë veprim ai akuzohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës.
Sipas dosjes se prokurorisë, të akuzuarit tjerë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, si persona zyrtarë në Komunën e Pejës, anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare kur kanë nënshkruar raportin për pranim të mallit pa verifikuar plotësimin e kushteve qe kërkohen.
Në anën tjetër, Ilir Kelmendi akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, ka paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Më këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në vlere prej 9,929 euro.
Shefi i kabinetit të Gazmend Muhaxherit deklarohet i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë