Dështon seanca ndaj ish-gjyqtares, avokati i zënë me tjetër rast

Sot në gjykatën e Ferizajt është paraparë të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish gjyqtares Safete Tolaj,djalit të saj Fisnik Tolaj dhe Granit Shehut.

Ky rast ka filluar të gjykohet nga fillimi pasi Gjykata e Apelit këtë lëndë e kishte kthyer në rigjykim.

Seanca nuk u mbajt dhe u shty për një datë tjetër për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Fisnik Tolajt, Gëzim Kollqakut.

Ky avokat e kishte njoftuar Tolajn se është i angazhuar në rastin e arrestimit të gjyqtarit të Pejës Sali Berisha dhe nuk mund të jetë prezent sot në gjykim.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi e njoftoi të akuzuarin Fisnik Tolaj se mbrojtja në këtë rast nuk është e obligueshme , ose mund t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare.

Por Fisnik Tolaj këmbënguli duke e dëshiruar avokatin e tij me autorizim Gëzim Kollqakun , dhe sipas kësaj nuk kishte kushte ligjore për fillimin e seancës gjyqësore e njejta u caktua me datë 16 tetor.

Gjithashtu, Kryetari i trupit gjykues në fillim njoftoi se është ndërruar njëri anëtar i trupit gjykues tani trupi gjykues në vend të gjyqtarit Musa Konxheli i cili më nuk është anëtar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i njëjti shërben në Departamentin Special , është gjyqtari Mustafë Tahiri.

Trupi gjykues tani përbëhet nga kryetari Ibrahim Idrizi, dhe anëtarët Kadrije Goga Lubishtani ,dhe Mustafë Tahiri.

Gjykata Themelore në Ferizaj më 13 korrik 2018 e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, Gjykata e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim duke konsideruar se as dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Fisnik Tolaj nuk ishte i lartë.

Në ankesën e saj Prokuroria ka pretenduar se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, si dhe sipas Prokurorisë, Gjykata nuk ka marrë parasysh as propozimin e prokurorit që të konfiskohet në mënyrë të përhershme dobia pasurore e paluajtshme.

Ndërsa lidhur më aktgjykimin dënues për të akuzuarin Fisnik Tolaj, sipas Prokurorisë, lartësi e dënimit nuk ka qenë në proporcion me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

Edhe ndaj të akuzuarit Granit Shehaj, Prokuroria pretendon se Gjykata ka vlerësuar gabimisht faktet kur ka marrë aktgjykim lirues.

Fisnik Tolaj nga prokuroria akuzohet per ushtrim te ndikimit,mashtrim,falsifikim i dokumentit , ndërsa Safete Tolaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, ndërsa Granit Shehu akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare