Dështon seanca ndaj dy të akuzuarve për grabitje

Ka dështuar të  mbahet seanca ndaj të dy të akuzuarve për grabitje, Feriz Sallahu dhe Allmet Karaqica për shkak të mungesës së të akuzuarit Feriz Sallahu.

Sot më 02.08.2024 në Gjykatën e Prishtinës në këtë çështje gjyqësore ishte paraparë që të dëgjoheshin dy dëshmitarë, gruaja e të pandehurit Allmet Karaqica dhe prindi i të pandehurit Allmet Karaqica.

Mirëpo përveç të akuzuarit Allmet Karaqica kanë munguar edhe dy dëshmitarët të cilët ishin paraparë që të dëgjoheshin po ashtu.

Sa i përket të dëmtuarit ai kishte kërkuar nga gjykata që të mos ftohej për seancat e radhës pasi i njëjti kishte dhënë deklarimin e tij.

Shqyrtimi gjyqësorë i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit tetor 2024.

Prokurore e kësaj çështje është Dulina Hamiti.

Të akuzuarit Feriz Sallahu dhe Allmet Karaqica kishin qenë në paraburgim prej datës 01.06.2006 deri më 01.07.2006.

Të pandehurit Feriz Sallahu dhe Allmet Karaqica në deklaratat e dhëna para prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë kishin mohuar kryerjen e veprës penale.

I dëmtuari Sh. M. në deklaratën e tij të dhënë para prokurorit publik të qarkut në Prishtinë kishte deklaruar se pos atij dhe bashkëpunëtorit Feriz Sallahu nuk e kishte ditur askush se kush i mban paratë, atë natë për dallim nga netët tjera.

Ai kishte deklaruar se Ferizi i kishte thënë se po e mbyllin bastoren edhe pse kishte qenë pak herët, por Ferizi ju kishte drejtuar me fjalët “hajde ecim” dhe pse sipas tij ende kishte pasur myshteri në lokal.

Ai po ashtu në deklaratën e tij të dhënë para prokurorit publik të qarkut në Prishtinë kishte thënë se dyshon në Feriz Sallahun se e kishte lajmëruar dikën dhe e kishte ditur orën e saktë se kur do të arrijnë sepse sipas tij vetëm ai e kishte ditur se sa para i kishte dhe ku i kishte të vendosura.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë të akuzuarit Feriz Sallahu dhe Allmet Karaqica me datën 13.05.2006 rreth orës 22:35 minuta në Drenas i pandehuri Feriz Sallahu rreth orës 22:00 me veturën e tij “Golf 2” e kishte dërguar të dëmtuarin Sh. M. për në shtëpi e me të dëmtuarin kishin qenë duke punuar në një bastore sportive “Top-Sport” në Drenas.

Sipas aktakuzës pasi që e mbyllin këtë bastore i pandehuri Feriz Sallahu kishte qenë në dijeni se Sh. M. me vete kishte afërsisht 700 euro të bastores dhe atë të vendosura në gjepin e pantallonave, pasi i dëmtuari Sh. M. kishe zbritur prej veturës së Feriz Sallahut dhe kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij i kishin dalur dy persona me kapela në kokë të maskuar njëri me revole në dorë dhe ju kishin drejtuar me fjalët “qiti paret”. Aty kishte filluar rrahja në mes të dëmtuarit Sh. M. dhe të pandehurit Allmet Karaqica si dhe personit NN, pastaj i pandehuri Allmat Karaqica kishte arritur që të ja merrte të hollat me personin NN.

Gjithnjë sipas aktakuzës i pandehuri Feriz Sallahu përveç të hollave në shumën prej 700 eurosh të dëmtuarit Sh. M. ja kishte marrë edhe telefonin.