Dështon seanca ndaj doganierit të akuzuar për keqpërdorim me fatura të naftës
Seanca gjyqësore ndaj Orhan Osmanit e paraparë të mbahej në gjykatën e Mitrovicës ka dështuar
Osmani nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të terrenit në Doganën e Kosovës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare i kishte tejkaluar kompetencat e tij, më qëllim që vetes t’i sjellë dobi.
Arsye e mos mbajtjen së kësaj seance ishte mungesa e mbrojtëses së të akuzuarit, avokates Fatmire Braha.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti ka thënë se avokatja Braha kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezent në seancë pasi është e angazhuar në një rast për të mitur, për të cilin e kishte pranuar ftesën më herët.
Shtyrjen e seancës e ka kërkuar edhe i pandehuri Osmani.
I pandehuri Osmani nga prokuroria akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas akuzës me 19 janar 2015, Osmani me rastin e furnizimit të automjetit zyrtar nga punëtori i pompës së benzinës Refki Mazhiqi, kishte pranuar kundërvlerën prej 35 euro, në vend të mbushjes së automjetit me derivate të naftës dhe nga i njëjti kishte pranuar faturën me të dhëna fiktive lidhur me kilometrazhin e automjetit.
Me 28 nëntor 2014, me rastin e furnizimit të automjetit zyrtar, me 75 litra sipas faturës kishte shënuar kilometra 129776 e që sipas librit për evidentimin e kilometrave të kësaj veture kilometrat e paraqitura në faturë ishin kaluar dy ditë më herët dhe se kilometrat e paraqitura janë fiktive.
Kurse rasti tjetër sipas aktakuzës, kishte ndodhur me 9 dhjetor 2014, me rastin e furnizimit të automjetit zyrtar “Toyota”, me 47 litra, sipas faturës kishte shënuar kilometra 241905 në mënyrë fiktive pasi që sipas librit për evidentimin e kilometrave të kësaj veture kilometrat e paraqitura kjo veturë i kishte kaluar më 12 dhjetor 2014.
Më këtë, Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.