Arkiv - Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Dështon seanca ndaj deputetit Etem Arifi

Dështon të mbahet seanca e rigjykimit, ndaj deputetit Etem Arifi, për veprën penale ushtrim i ndikimit.

Shkaku i dështimit të kësaj seanca ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues.

KALLXO.com nga zyra e gjyqtarit Vesel Isamili, është njoftuar se seanca nuk ka kushte të mbahet për arsye se anëtari i trupit gjykues Naser Foniqi, për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë prezent.

Arifi ishte i akuzuar edhe për veprën penale mashtrim me subvencione, ku për këtë vepër ishte dënuar me 1 vite e 3 muaj, të cilin dënim është duke e vuajtur në burgun e Lipjanit.

Kurse vota e  Etem Arifit bëri që qeveria Hoti të bie, me 21 dhjetor Gjykata Kushtetuese, mori vendim me të cilin vlerësoi se vota e Arifit  ishte e paligjshme.

Kujtojmë se Gjykata e shkallës së parë, për veprën penale ushtrim ndikimi të njëjtin e kishte liruar nga akuza, mirëpo kundër këtij vendimi Prokuroria kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Apeli më pas, për veprën ushtrim ndikimi ndaj deputetit Arifi lëndën e ka kthyer në rigjykim, ku në vendimin e saj, thuhet se shkalla e parë nuk ka thënë asnjë arsyetim të vetëm se pse e ka liruar nga akuza.

Në vendim të Apelit thuhet se meqenëse shkalla e parë e ka liruar nga akuza për veprën penale ushtrim i ndikimit, në mungesë të provave është dashur të jap arsyetim përkitazi me bazën ligjore për të cilën është liruar, kurse mungesa e një arsyetimi të tillë paraqet shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Tutje në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet t`i eliminojë shkeljet e lartcekura dhe pas administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre të merr vendim të drejtë dhe ligjor.

Deputeti Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale mashtrim me subvencione, është duke vuajtur dënimin në burgun e Lipjanit.

Deputeti Arifi, ishte paraqitur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, më 29 shtator, pasi Gjykata Kushtetuese i kishte refuzuar ankesën në të cilën kishte kërkuar që të mos vuante dënimin.

Në këtë proces penal i dënuar është edhe Bajram Gashi, i cili ka shkuar për vujatje të dënimit në mënyrë vullnetare më 9 mars.

Për herën e parë Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Pasi që Gjykata Supreme i refuzoi kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë si të pabazuar, dënimi prej 1 viti e 3 muajsh deputetit Arifi, iu bë i plotfuqishëm.

Kujtojmë se i njëjti më 9 mars 2020, është dashur të paraqitet në Qendrën për vuajtjen e dënimit.

Por i njëjti për shkaqe shëndetësore kishte arritur 2 herë të shtyente ekzekutimin e dënimit për nga 2 muaj.

Herën e tretë Gjykata e Prishtinës, i kishte refuzuar kërkesën për shtyerje të dënimit si të pabazuar.

E këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, kur ia refuzoi si të pabazuar ankesën e të dënuarit Arifi.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim”, ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.