Seanca në gjykimin e Ukë Rugovës lidhur me vizat italiane FOTO-Shyhrete Maliqi/KALLXO.com

Dështon seanca e parë pas një viti ndaj Ukë Rugovës

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit prej kur u mbajt seanca e fundit në rastin ndaj Ukë Rugovës dhe katër të tjerëve për skandalin me viza italiane, as sot nuk arriti të mbahet ky gjykim.

Në këtë rast akuzohen Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani.

Seanca dështoi pasi avokati Besnik Berisha i cili e mbron të akuzuarin Izet Beqirin, ishte  i caktuar në një seancë tjetër.

“Unë jam në një seancë tjetër, nëse kjo seancë vazhdon përtej fjalës hyrëse unë do të kalojë andej”, tha avokati Berisha.

Pas deklarimit të tij avokati Berisha kaloi në sallën tjetër ku ishte i caktuar dhe u kthye pak më vonë në seancën lidhur me vizat italiane. Pasi rreth 10 minuta kaluan ai tha se duhet të vazhdojë me seancën tjetër.

Më pas kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku, deklaroi se në këtë rast mbrojtja është obligative dhe seanca nuk mund të vazhdojë në këto kushte.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për datë 30 mars.

Aktakuza  për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm  në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178  dëshmitarë, 70 prej te cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.

Ukë Rugova dhe të tjerët para gjykatës për skandalin me viza italiane