Gjykimi i ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica FOTO-Shyhrete Maliqi/KALLXO.com

Dështon seanca e parë ndaj ish- sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica

Ka dështuar të nis shqyrtimi fillestar ndaj ish- sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtareve të po kësaj ministrie.

Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ndërsa, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Para se të lexohet aktakuza, mbrojtësi i të akuzuarit Betim Reçica, avokati Florim Vertopi, kërkoi që seanca e sotme të shtyhet për  shkak se nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës.

“Detyrohet Prokuroria që mbrojtjes t’ia dorëzojë shkresat e dosjes, respektivisht provat dhe i mbrojturi im përmes emalit më 25 shkurt 2021, po ashtu me rastin e dhënies së deklaratës në Prokurori më 8 qershor 2020 si dhe mbrojtja me datë 9 mars 2021, ka kërkuar që të na dorëzohen të gjitha shkresat e dosjes”, tha avokati Vertopi.

Tutje i njëjti shtoi se në aktakuzë Prokuroria ka propozuar të dëgjohen 15 dëshmitarë si dhe të administrohen 23 prova materiale.

“Nga leximi i provave materiale në atë aktakuzë shihet se nuk është propozua si provë dosja e tenderit komplet, prandaj mbrojta propozon të shtyhet kjo seancë, nga se dispozitat e nenit 244 deri 250 nuk lejohet të lexohet aktakuza e as të deklarohet i pandehuri në lidhje me aktakuzën deri sa të dorëzohen të gjitha shkresat”, shtoi avokati Florim  Vertopi.

Në lidhje me këtë propozim, u pajtuan edhe mbrojtësit e tjerë.

Kurse prokurorja Habibe Salihu, tha se i ka njoftuar gjithë të akuzuarit në momentin e paraqitjes së aktakuzës se Prokuroria ka siguruar provat që të akuzuarit mund t’i kenë në dispozicion, kurse sipas saj Prokuroria ka kryer obligimin që i takon.

“Kam vepruar konform dispozitave të KPK-së, kam njoftuar në momentin e paraqitjes se kësaj aktakuze të gjithë të akuzuarit se Prokuroria ka siguarar prova dhe mund t’i kenë. Të gjithë të akuzuarit të cilët janë drejtuar në Prokurori janë pajisur me shkresat e lëndës. I akuzuari Betim Reçica është njoftuar edhe një herë në formë të shkuar meqenëse fillimisht nuk ka ardhur në Prokurori me u pajis me shkresa te lëndës i kemi dërguar njoftim në formë të shkuar se Prokuroria ka siguruar prova, konsideroj se Prokuroria e ka përmbushur obligimin ligjor”, tha prokurorja Salihu.

Kurse avokati i të akuzuarit Betim Reçica, Florim Vertopi, kryetarit të trupit gjykues i kërkoi qe kjo seancë të shtyhet minimum 30 ditë, kurse prokurorja më pas të njëjtëve ia dorëzoi një CD me prova materiale.

Pas kësaj, gjyqtari Musa Konxheli aprovoi propozimin e mbrojtjes dhe seancën e radhës e caktoi për datë 15 prill.

Ish- sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të cilat hyjnë në kuadër të veprave të korrupsionit.

Përpos tij në këtë rast Prokuroria Speciale i akuzon edhe tre zyrtarë të tjerë për keqpërdorim detyre.

Sipas Prokurorisë,  Betim Reçica, në cilësinë e ish- u.d drejtorit të prokurimit brenda Ministrisë së Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të Autostradës së Gjilanit. Këtë vepër sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Madje, sipas aktakuzës Reçica i kishte kërkuar komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

Për të njëjtin tender Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për tu shpallur kompani e përgjegjshme.

KALLXO.com ka provuar të marrë koment lidhur me këtë nga Betim Reçica dhe Pal Lekaj, por të dy kanë qenë të paqasshëm në telefon deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Po ashtu, Reçica akuzohet se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.

Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes së cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të ministrisë.

Po ashtu sipas aktakuzës ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H.M dhe A.B t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar. Ky veprim sipas Prokurorisë e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.

Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpërlaje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë Audi F2 S7 sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.

Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.

Aktakuza kundër ish sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës është ngritur me datë 15 shkurt 2021.

Del para gjykatës ish- sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica