Foto: KALLXO.com

Dështon protesta e paralajmëruar para Ambasadës së Gjermanisë

Ka dështuar protesta e paralajmëruar nga një grup i qytetarëve para Ambasadës së Gjermanisë në lidhje me pakënaqësitë për caktimin e termineve për viza.

Ekipi i KALLXO.com qëndroi para Ambasadës Gjermane në kohën kur ishte paralajmëruar që protesta të mbahej, mirëpo të pranishëm ishin vetëm qytetarë të cilët prisnin në radhë për viza turistike.

Përveç qytetarëve, prezent ishin edhe njësitet policore.

Arsyeja e protestës së paralajmëruar ishte se qytetarët ankohen për bllokim të sistemit të linkut të ambasadës në momentin kur hapet linku për rezervime të terminëve.

Përmes rrjeteve sociale qytetarët janë ankuar se për të zënë një termin duhet të paguajnë.

Mirëpo nga Ambasada e Gjermanisë thonë se ternimet janë falas dhe sistemi i termineve është i hapur për të gjithë.

“Ambasada nuk merr asnjë tarifë për të lënë takime. Të gjitha takimet në dispozicion janë të dukshme dhe të rezervueshme për të gjithë në portalin e rezervimit”, thuhet në një njoftim të Ambasadës gjermane.

Në muajin gusht KALLXO.com kishte shkruar  se si qytetarët e Kosovës, të cilët kanë synuar të caktojnë në ambasadën e Gjermanisë një termin për aplikim për vizë pune, janë përballur me mosfunksionim e web-faqes së ambasadës për këtë çështje.

Ata kanë treguar se persona të caktuar u kanë ofruar termin porse për këtë u kanë kërkuar shumë të majme parash.

Njëri prej tyre ka treguar se për sigurimin e terminit i janë kërkuar 500 euro.