Dështon propozimi i opozitës që të largohen nga rendi i ditës dy pika për 'Kalabri' dhe 'Arbëri' - VIDEO

Tri grupet parlamentare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar që të largohet pika 3 dhe pika 4 nga rendit i ditës në seancën që është duke u mbajtur aktualisht.

Por nuk morën votat e mjaftueshme që të largohen nga rendi i ditës asnjëra pikë.

Pika 3 e rendit të ditës është propozimvendimi për anulimin e Vendimit për miratimin e Planit rregullues të hollosishëm për lagjen “Kalabria”, nr. 01-350/05-245432/21 i datës 12.11.2021.

Kurse, pika 4 është propozimvendimi për anulimin e vendimit për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D 2” në kuadër të Planit rregullues “Arbëria 3” i miratuar me vendimin për plotësimin dhe ndryshimin, 01.nr.35-94056, dt 04.05.2015.

Kjo mbledhje e dytë e Kuvendit Komunal të Prishtinës është pritur me protesta para objektit të Komunës së Prishtinës.

Banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë kanë protestuar prapë para komunës së Prishtinës për mos-shfuqizim të planit rregullues që ishte miratuar në nëntor të vitit 2021. Banorët i kanë bërë thirrje kryetarit, Përparim Rama të mos e bllokojë lagjen “Kalabria”.

Po ashtu, banorë të lagjeve “Lakrishta”, “Qendra”, dhe “Bregu i Diellit” kanë protestuar para komunës së Prishtinës në kundërshtim të ndërmarrjes “Prishtina Parking”.

Kjo për menaxhimin e “Prishtina Parkingut” është në rend të ditës, që pritet të diskutohet në fund të mbledhjes.

KALLXO.com është duke e transmetuar drejtpërdrejt këtë mbledhje: