Dështon procedimi i tri nismave legjisative për pandeminë COVID-19

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa epilog, duke u pamundësuar procedimi i tri nismave legjislative për mendim në qeveri.

“Kjo procedurë nuk mori epilog gjatë kësaj mbledhje për shkak edhe të dallimeve mes subjekteve politike por edhe për shkak të mos dakordimit të grupeve më të mëdha parlamentare sidomos të LDK-së, duke mos përjashtuar as tjerat që t’i procedojmë këto nisma të cilat kanë ardhur jo nga një burim. Një nga kryetarja e Kuvendit me pesë nënshkrime tjera dhe dy të tjera nga PDK-ja”, tha ai.

Selimi shtoi se proceduralisht janë plotësuar kushtet që këto projektligje të procedohen për në seancë të Kuvendit.

“Pavarësisht që për materien e këtyre projektligjeve kemi mendime të ndryshme politike, ne si GP e dimë që proceduralisht ekziston e drejta për nisma të tilla por esencialisht kemi vërejtjet tona. Ajo çfarë u pa gjatë mbledhjes që LDK-ja, lëshuan mbledhjen duke krijuar një atmosferë jo bashkëpunuese edhe mes grupeve tjera pavarësisht vullnetit që të kishim darkordim”, tha ai.

Të mërkurën, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e përkrahur nga deputetët nënshkrues, ka proceduar nismën legjislative për Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.