Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com
Dështon prapë votimi i kryetarit dhe anëtarëve të bordit të OShP-së
Me 2 vota për, 64 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të emërojë kryetarin dhe 4 anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kjo pikë nuk kishte arritur të kalojë as më 23 nëntor si shkak i mungesës së kuorumit.
Në seancë u bë e ditur se kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OShP-së janë: Ardian Behra me 32.3 pikë, Hasim Krasniqi me 28.7 pikë, Faruk Rexhaj me 28 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26 pikë.
Nga data 1 prill e deri më 10 nëntor 2021, OShP ka pranuar gjithsej 506 ankesa, të cilat në mungesë të bordit janë pa vendimmarrje.
KALLXO.com ka monitoruar përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të OSHP-së.
Asnjë grua nuk ishte rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.
Ndërsa përfaqësuesit e projektit të Ambasadës së Britanisë që kanë asistuar në këtë projekt, kanë vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të OShP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve.
Konkursi për kryetar dhe anëtarë të bordit të OShP-së ishte hapur nga Qeveria e Kosovës, e cila ka në kompetencë vetëm shortlistimin e kandidatëve që i plotësojnë kriteret minimale të konkursit.