Gjykimi ndaj rojes së pyllit i akuzuar për ryshfet FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

Dështon për të pestën herë seanca ndaj rojes së pyllit të akuzuar për ryshfet

Sabri Miftari, rojtar i pyllit në territorin e Komunës së Vitisë ka dalur sot para gjykatësit për t`u përballur me akuzat për marrje ryshfeti, por seanca ndaj tij dështoi të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës se sotme ishte prapë mungesa e dëshmitarëve Besim Ukaj dhe Reshat Bajrami.

Kujtojmë se seancat në këtë çështje kan dështuar të mbahen prej qershorit të vitit 2019. Konkretisht 24 qershor, pastaj 23 shtator, 18 nëntor 2019, seanca e datës 31 janar 2020  dhe seanca e sotme e datës 12 mars 2021, kanë dështuar të mbahen ndaj të akuzuarit Sabri Miftari.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi tha se do të lëshohet urdhërarrest për sjellje me dhunë të këtyre dëshmitarëve.

“Sa i përket dëshmitarit Besim Ukaj, stacioni i Policisë në Viti përmes telefonit e ka lajmëruar zyrtaren ligjore se urdhër arresti nuk ka mundur të realizohet, pasi që i njëjti gjendet në Kroaci, kurse për dëshmitarin Reshat Bajrami nuk ka njoftim”, tha kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi.

Tutje, prokurori i shtetit Shaban Spahiu propozoi që dëshmitarët e lartcekur të mos ftohen, mirëpo të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Propozimi i tillë, u kundërshtua nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Sabri Miftari, avokatit Shemsedin Pira.

“Nëse nuk ftohen dëshmitarët në fjalë, dhe po që se vendimi gjyqësor merret pa e bërë dëgjimin e tyre, pasojat që mund t’i vihen në barrë të mbrojturit tim janë të mëdha, ashtu që, i njëjti mund të humbas edhe vendin e tij të punës, si dhe t’i pamundësohet të punësohet në ndonjë vend tjetër, shkaku i akuzës që është ngritur ndaj tijë”, tha avokati Pira

Seanca që dështoi të mbahet sot u shty për 28 maj.

Ndryshe, edhe seanca e 24 qershorit, ajo e 23 shtatorit dhe 18 nëntorit të vitit të kaluar, kishin dështuar të mbahen për shkak të mungesës së dëshmitarëve të njëjtë.

Sipas Prokurorisë, Sabri Miftari akuzohet për veprën penale marrje ryshfeti, kurse Reshat Bajrami akuzohej për veprën penale dhënie ryshfeti.

Sipas aktakuzës Sabri Miftari, duke qenë në pozitën e rojtarit të pyllit pranë Drejtorisë për Pylltari në Komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë, përkatësisht të holla nga i akuzuari tjetër Reshat Bajrami, në atë mënyrë që duke kërkuar dhe marrë të holla për të mos vepruar në pajtim më detyrën e tij zyrtare, e ka lejuar Reshat Bajramin, që në mënyrë të kundërligjshme të marrë dru në pyllin e pronës shoqërore.

Tutje sipas aktakuzës, në vitin 2013, në kohë dhe datë të papërcaktuar, i akuzuari Sabri Miftari ka pranuar shumën prej 60 euro nga Reshat Bajrami, kurse në vitin 2014 ka pranuar shumën prej 100 euro, dhe gjatë vitit 2019, ka pranuar shumën prej 50 euro përmes Besim Ukës, në këtë mënyrë i akuzuari Sabri Miftari e kishte lejuar Reshat Bajramin që të marr dru në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë të kundërligjshme-pa pagesë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reshat Bajrami,  i ka dhënë para të akuzuarit Sabri Miftari, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim më detyrën e tij zyrtare, duke i lejuar Bajramit marrjet e druve në mënyrë të kundërligjshme.

Kujtojmë se i akuzuari për dhënie ryshfeti, Reshat Bajrami, në seancën e 5 dhjetorit 2018, e kishte  pranuar fajësinë dhe më 10 dhjetor 2018, ai ishte dënuar me tre muaj burgim me kusht, me afat verifikimi prej dy vjetësh, kurse ndaj Sabri Miftarit, ishte veçuar procedura.

Dështon seanca ndaj rojës së pyllit, i akuzuar për ryshfet