Dështon për të pestën herë seanca gjyqësore për gazin lotsjellës në Kuvend

Në Gjykatën e Prishtinës, përsëri ka dështuar seanca ndaj ish-deputeteve të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Pal Lekaj.

Ata akuzohen se në shkurt të vitit 2016 kanë futur bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Shkaku i dështimit të këtij shqyrtimi fillestar, ishte mungesa e të akuzuarit, Pal Lekaj, të cilit sipas gjyqtarës nuk është arritur t’i dërgohet ftesa.

“Mungon i pandehuri Pal Lekaj. Në ftesë të gjykatës figuron se dera ishte e mbyllur dhe nuk ka qenë e mundur t’ia lenë ftesën”, tha gjyqtarja Dërmaku.

Pas kësaj në mungesë të kushteve ligjore seanca dështoi të mbahet, kurse ajo e radhës u caktua për datë 1 prill.

Kujtojmë se edhe seancat e datës 10 dhe 30 korrikut dhe ajo e 2 dhe 15 shtatorit 2020 kishin dështuar të mbahen në mungesë të kushteve ligjore.

Aktakuza e Prokurorisë  thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj – Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të 2016-ës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.