Dështon për të katërtën herë dështon seanca gjyqësore për gazin lotsjellës në Kuvend

Ka dështuar sërish të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Besa Baftiu, si dhe deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj.

Ata akuzohen se në shkurt të vitit 2016 kanë futur bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Gjykatësja e këtij rasti ka qenë Naime Krasniqi – Jashanica mirëpo e njëjta ka kaluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Departamentin e Përgjithshëm, urse ky rast tani do të gjykohet nga gjyqtarja Fatime Dërmaku.

KALLXO.com është njoftuar se gjyqtarja Fatime Dërmaku gjendet në pushim.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci, ka thënë se sot është njoftuar se gjyqtarja e rastit është ndërruar dhe se vetëm presin ftesën për seancën e radhës nga gjykatësja Dërmaku.

Kujtojmë se edhe seancat e datës 10 dhe 30 korrikut si dhe e 2 shtatorit  kishin dështuar të mbahen në mungesë të kushteve ligjore.

Në këtë seancë gjyqësore të akuzuarit do të deklaroheshin lidhur me pranimin  fajësisë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza e Prokurorisë  thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të 2016-tës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë -Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Dështon për herë të tretë gjykimi për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës