Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dështon për të dytën herë radhazi tenderi i Policisë së Kosovës për blerjen e 35 dronëve

Pa kaluar 2 muaj nga dështimi i tenderit të parë për të blerë dronë, ka dështuar edhe tenderi i dytë i Policisë së Kosovës për blerjen e 35 dronëve me vlerë prej rreth 100 mijë euro.

Nëpërmjet këtij tenderi, ishin paraparë të blihen 35 dronë, për blerjen e së cilëve kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë 99,995 euro.

Kjo kontratë kornizë parashihej të zgjaste 24 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës.

Për këtë tender u përdorë procedurë e hapur e prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Sipas kërkesave të këtij tenderi, kompania e cila do të rezultonte fituese është e obliguar qe te ofroj trajnimin minimum 2 ditë për të paktën 20 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Për ta realizuar këtë furnizim, kishin ofertuar tre kompani, mirëpo komisioni i vlerësimit pas ekzaminimit të tenderëve, ka konstatuar se nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme.

Nëpërmjet platformës elektronike për prokurim “e-prokurimi”, bëhet e ditur se tashmë ky tender është anuluar.

Iniciativa për të realizuar blerjen e dronëve kishte dështuar edhe në tenderin paraprak i cili u anulua në muajin qershor, me të njëjtin arsyetim.

“Aktivitet i prokurimit anulohet ne mungese të një oferte të përgjegjshme”, thuhet në njoftimin për anulim.