Gjykimi lidhur me kontrabandën me armë FOTO- Era Hasani/KALLXO.com

Dështon për herë të dytë radhazi gjykimi për kontrabandë të armëve

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarve Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Naim Abrashi dhe Sylë Sylejmani të akuzuar për shitblerje të paautorizuar të armëve, tregti të ndaluar dhe pjesëmarrje ose organizim të grupit të organizuar kriminal.

Arsyeja e dështimit të seancës ishte mungesa e të akuzuarit Izedin Mejzini, për të cilin  mbrojtësi i tij avokati Mahmut Halimi, njoftoi se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Halimi njoftoi se i mbrojturi i tij e ka të pamundur të paraqitet në gjykatë, sepse i njëjti është për shërim në Gjermani.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca është shtyrë në afat të pacaktuar, deri sa të njoftohet gjykata për përmirësimin shëndetësor të të akuzuarit.

Në këtë rast, i akuzuar ishte edhe Fatmir Haruni, mirëpo i njëjti ka vdekur.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmani, Naim Abrashi, Fatmir Haruni dhe Sylë Sylejmani , që nga periudha e panjohur kohore, deri më 21 mars 2019, në vazhdimësi, duke vepruar si grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga të pandehurit Vesat Imeri dhe Izedin Mejzini kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë dhe shitur mallra për të cilat nuk kanë pasur autorizim.

Prokuroria: Të dyshuarit për kontrabandë me armë ishin nën vëzhgim të Policisë