Mbledhja e Komisionit për Media Foto: KALLXO.com

Dështon mbledhja në të cilën do të diskutohej raporti vjetor i RTK-së

Ka dështuar mbledhja e Komisionit për Media në të cilin ishte i ftuar Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës për të shqyrtuar raportin vjetor.

Kjo për shkak se deputetët e opozitës, Agim Veliu dhe Isak Shabani kanë kërkuar që në mbledhje të jetë anëtarja e Bordit Shukrije Rama që sot nuk ishte prezente. Ajo në mbledhjen e kaluar kishte deklaruar se po ndihet nën presion nga drejtori i përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahemtxhekaj.

“A janë ftuar të gjithë anëtarët e bordit, pse nuk janë prezent të gjithë?”- pyeti Isak Shabani, deputet i PDK-së.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se në mënyrë jo formale i kanë thënë që kanë pasur disa aktivitete të tjera por tregoi ftesat si zakonisht u kanë shkuar të gjithëve.

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu kërkoi që ky takim të shtyhet për shkak të mungesës së anëtarëve të Bordit dhe të katër deputetëve, të cilët tha se kanë njoftuar se do të mungojnë.

“Unë shpreh zhgënjim të madh që nuk janë dy anëtarët e tjerë. Mendoj që anëtarja që ka kërkuar fjalën mbledhjen e kaluar është dashur të jetë sot këtu, andaj mendoj që duhet me u shty” – tha Veliu.

“Mendoj që është mirë me qenë edhe anëtarët e tjerë të bordit veçanërisht ajo zonja që ka kërku fjalën, që në një formë e anashkaluam duke thënë që do të ja japin fjalën mbledhjen tjetër. Sot nuk po e shoh prezent andaj mendoj që duhet të ishte këtu. Nëse këto nuk pranohen sigurisht as unë nuk do të marrë pjesë”- vazhdoi ai.

Me këtë nuk u pajtua deputeti i LVV-së, Njazi Isaku. Ai tha se meqë kryesuesi i Bordit, Drejtori i Përgjithshëm janë aty dhe kanë raportin vjetor mund të vazhdojnë me mbledhjen.

“Nuk po e di cila është arsyeja mos me fillu meqenëse janë pesë këtu e dy nuk janë. Deputeti nuk e di pse tha që 4 deputetë nuk janë, a janë ata aq të rëndësishëm që nuk mundemi me fillu. Pse për mos prezencën e disa deputetëve mos me fillu? Mos të harrojmë që të gjithë jemi deputetë këtu. Mendoj që kjo nuk është në rregull dhe jo normale që s’i kemi disa deputetë”- u shpreh Isaku.

Ai pyeti edhe nëse kanë garancion që anëtarja e bordit, Shukrije Rama do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës.

Fitim Haziri nga LVV tha se qëllimi i dy deputetëve të opozitës është që ta dështojnë mbledhjen nën arsyen se mungojnë disa deputetë, sipas tij duke e ditur që dy deputetë të LVV-së janë jashtë vendit.

“Nuk është hera e parë që Bordi po raporton pa të gjithë anëtaret. Qëllimi është që të na pamundësojnë mbledhjen për shkak që ne si kemi dy deputetë. Kjo është e qartë si hëna në një natë të kthjellët” – tha Haziri.

Kryetari Valon Ramadani vendosi që raportimi të vazhdoj të premten në ora 11:00 për shkak të kërkesës së deputetëve të opozitës.

Në mbledhjen e kaluar të thirrur nga Komisioni për Media, e cila u mbajt më 20 shkurt, Shukrije Rama kishte ngritur një shqetësim të sajin, duke thënë se të vetmin shqetësim gjatë mandatit të saj e kishte nga tendenca për frikësim nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm, përmes një ankese drejtuar anëtarëve të bordit

“Si tentativë për të më penguar, për të ma mbyllur gojën dhe për të ma ndal zërin sa i përket artikulimeve të çështjeve e problemeve relevante dhe aktuale në RTK, për të cilat jemi të gjithë përgjegjës” – kishte thënë ajo.

Arbreshë Kryeziu – Hyseni, anëtare e komisionit (LLV) kishte thënë se ky diskutim do të duhej të ndodhte në një mbledhje të bordit, e jo para deputetëve.

“Kërkoj falje për interferimin por mua po më duket që ky diskutim do të duhej të ndodhte ndoshta në një mbledhje të Bordit të RTK-së dhe jo sot këtu para deputetëve, me gjithë respektin. Mund edhe ta përcjellni në emailet tona dhe ne ta kemi parasysh që ta lexojmë, por megjithatë po më duket që po e orienton diskutimin krejt diku tjetër që nuk është përgjegjësi e jona” – tha ajo.

Me këtë ishte pajtuar edhe kryetari i komisionit, Valon Ramadani dhe pas një pauze pesë minutëshe kishte vendosur që të vazhdojnë me rendin e ditës.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini kishte thënë se pret që këto çështje të diskutohen në mbledhjen e radhës.

Pas një pauze pesë minutëshe ai tha se mendon që duhet të vazhdojnë me rendin e ditës.

Anëtarja e bordit të RTK-së thotë se ka tendencë për frikësim nga drejtori gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj