Foto: KALLXO.com

Dështon mbledhja e kryesisë, LVV dhe PDK hedhin fajin tek njëra-tjetra

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nuk është mbajtur për shkak se nuk kishte kuorum për vazhdimin e punimeve.

Mimoza Kusari Lila, ushtruese e detyrës së kryetares së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha përfaqësuesi i Listës Serbe dhe përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së nuk ishin aty për ta bërë kuorumin.

“Nënkryetari i ri i PDK-së Hoxhaj kishte paralajmëruar mosardhjen ndërsa nuk kishin njoftim nga përfaqësuesi i LDK-së”, tha ajo.

Ajo njoftoi se seanca e radhës do të mbahet me 25 nëntor në ora 10:00. Caktimi i seancës është bërë nga kryetari i Kuvendit.

“Pika më e rëndësishme është projektbuxheti i cili pritet të jetë seancën e radhës. Ndërsa pika për dy kandidatët për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese do të shtyhet për javën tjetër”, tha ajo.

Kusari Lila tha se kanë diskutuar që të fillojnë punë për reformën zgjedhore për të siguruar nivel më të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e quajti ‘degjenerim të Kuvendit’ pasi sipas tij mazhoranca nuk po mund t’i mbledh deputetët.

“Mazhoranca nuk mund ta fajësoj opozitën qe nuk ka kuorum sepse mazhoranca i ka numrat edhe në seancë edhe në kryesi. Duket që është degjenerim i Kuvendit sa që as ne s’po mund ti ndihmojmë”, tha Tahiri duke shtuar se projektbuxheti do të jetë në ditën e enjte.