Komisioni për buxhet dështon të mbahet në mungesë të kuorumit. FOTO: KALLXO.com

Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet në mungesë të kuorumit

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet për shkak të mungesës së kuorumit. Kryesuesi i këtij Komisioni, Armend Muja, ka treguar edhe arsyen e mungesës së deputetëve.

“Ne jemi informuar që me vendim të Kryesisë një grup deputetësh anëtarë të këtij Komisioni në kuadër të Grupit të Miqësisë Kosovë-Turqi kanë pasur udhëtim, ata do të kthehen sot pasdite. Dy deputetë të tjerë na kanë njoftuar që janë në një udhëtim tjetër, ata të gjithë janë anëtarë të këtij Komisioni. Rrjedhimisht në këtë fazë, ne mund të konstatojmë që për sot nuk kemi kuorum për të mbajtur mbledhje” – ka deklaruar Muja.

Në rend dite për diskutim në këtë Komision për sot përveç pikave të tjera ka qenë edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime i Komisionit Funksional për Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe shqyrtimi i raportit me rekomandime i Komisionit Funksional për Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Në seancën e 9 dhjetorit, kur janë miratuar në parim këto projektligje, është vendosur që të trajtimi i tyre të bëhet në procedurë të rregullt.