Dështon mbajtja e seancës së Apelit ndaj të akuzuarit për tentim vrasjen e ish-vjehrrit të tij
Ka dështuar të mbahet më 14.10.2024, seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit ndaj Omer Muhameti, i cili po akuzohet për veprën penale vrasje në tentativë ndaj ish-vjehrrit të tij. Aktakuza ndaj Omer Muhametit ishte ngritur pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin që fliste për plagosjen në Dragash.
Seanca dështoi pasi u konsideruarse nuk kishte kushte për mbajtën e saj. Avokati i të akuzuarit Muhameti, Xheladin Osmani nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa kryetari i kolegjit, Hashim Çollaku tha se i njëjti nuk ka dhënë ndonjë arsye, por “vetëm e ka refuzuar njoftimin.”
Po ashtu prezentë në këtë seancë nuk kishte as përfaqësues nga prokuroria, i dëmtuari Kadri Qusaj dhe as përfaqësuesi i tij, avokati Naim Kurteshi.
Gjyqtari Çollaku tha se do të tentojnë të kontaktojnë me avokatin e të akuzuarit dhe në rast se i njëjti nuk do të përgjigjet thirrjes, atëherë do të kontaktojnë Odën e Avokatëve për të gjetur një avokat të ri që të përmbushet ana formale juridike në mënyrë që të mbajnë seancën e kolegjit.
Seanca e radhës pritet të mbahet gjatë muajit nëntor 2024.
Ky rast po trajtohet në përbërje të kolegjit të gjyqtarëve Hashim Çollaku – kryetar dhe Valbona Musliu Selimaj – gjyqtare referuese dhe anëtari tjetër i kolegjit, Kreshnik Radoniqi.
Omer Muhameti ishte dënuar me burgim nga Gjykata Themelore e Prizrenit nën akuzën se tentoi të vrasë ish-vjehrrin e tij, Kadri Qusaj.
Ai u shpall fajtor nga Gjykata Themelore e Prizrenit më 30.07.2024, ndërsa pjesëmarrës në këtë seancë kishte qenë edhe pala e dëmtuar. Vendimi i shkallës së parë i dha verdiktin e dënimit prej 3 vjet e 6 muaj burgim Omer Muhametit për ngjarjen që u regjistrua më 26.04.2024.
Aktakuza ndaj Omer Muhametit ishte ngritur pak ditë pasi KALLXO.com publikoi hulumtimin që fliste për plagosjen në Dragash.
Hulumtimi i KALLXO.com flet për neglizhencën e Policisë për të ndaluar një person, konkretisht Omer Muhametin, i cili para se të hynte në një seancë për besimin e fëmijës me ish-bashkëshorten e tij H. Qusaj, ai e kishte kërcënuar këtë të fundit me fjalët: “Ke me hi nën tokë, kam me ta q* familjen, ke me pa kush jam unë e kush je ti”.
Këto fjalë dëgjohen duke i thënë Omer Muhameti sipas një video-incizimi, të cilin e kishte siguruar KALLXO.com.
Kujtojmë që Prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 21.05.2024 ndaj të pandehurit Omer Muhameti për shkak se më 26.04.2024, rreth orës 11:00, para Gjykatës në Dragash, tenton të privojë nga jeta të dëmtuarin Kadri Qusaj.
E kjo pretendohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje paraprake në Gjykatë që kishte vajza e tij H. Qusaj me të pandehurin Omer Muhameti lidhur me besimin e kujdestarisë për fëmijën e tyre.
Gjithnjë sipas aktakuzës bëhet e ditur se i akuzuari e kërcënoi të dëmtuarin Kadri Qusaj – babanë e ish-bashkëshortes së tij, në seancë gjyqësore me fjalët: “Si të dalësh jashtë nga gjykata unë kam me të vra me të gjallë e të vdekur dhe ty plumbin kam me ta lënë në ballë”.
Ndërsa, pas ndërprerjes së seancës gjyqësore nga kërcënimet e vazhdueshme që i ka bërë palëve para gjykatës, i akuzuari shkon e merr pistoletën të cilën e kishte në automjet, dhe posa e sheh të dëmtuarin Kadri Qusaj, i gjendur në automjetin e tij, në afërsi te parkingut të Gjykatës del prej automjetit dhe ka shtënë tri herë drejt të dëmtuarit.
Si pasojë e të shtënave, të dëmtuarit i ka shkaktuar dëmtime të rënda trupore – plagë hyrëse dhe dalëse.
E me këto veprime pretendohet se e ka kryer veprën penale – vrasja në tentativë. Po ashtu ai akuzohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Linku i videos që Kallxo.com ka bërë hulumtim lidhur me këtë rast: https://kallxo.com/lajm/hulumtimi-i-kallxo-com-burgim-per-personin-qe-tentoi-ta-vrase-ish-vjehrrin/