Dështon mbajtja e seancës gjyqësore ndaj ish-zyrtarit policor i akuzuar për vrasje të rëndë

Ka dështuar të mbahet seanca gjykuese për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës, për të cilën po akuzohet ish-zyrtari policor Vllaznim Hamdia.

Seanca e planifikuar të mbahet në Gjykatën e Gjilanit dështoi, pasi Gjykata nuk e kishte urdhëruar njësitin për transportin e të burgosurve për sjelljen e të akuzuarit në gjykim.

“Nuk ka kushte ligjore për seancën e sotme, pasi që i akuzuari nuk është ftuar në mënyrë të rregullt. Andaj ajo do të vazhdohet më 30 korrik”, tha për KALLXO.com kryetari i trupit gjykues Islam Thaçi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit i akuzuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu.

Ngjarja sipas Prokurorisë, kishte ndodhur derisa i akuzuari ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkakton aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i akuzuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i akuzuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti ofrohet te dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë. I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i akuzuari Vllaznim Hamdia akuzohet se ka kryer vrasja të rëndë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme.
Vllaznim Hamdia akuzohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit kishte shkrepur me armë zjarri.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Kërkohet ekzaminimi psikiatrik, ndërpritet seanca ndaj ish-zyrtarit policor i akuzuar për vrasje të rëndë