Dështon interpelanca për shkarkimin e Gashit nga posti i kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut

Një interpelancë e thirrur për shkarkimin e Afrim Gashit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka dështuar të martën vonë, pasi ajo nuk i mori votat e mjaftueshme gjatë një seancë me debat të ashpër.

Vetëm 21 deputetë votuan për shkarkimin e Gashit, ndërsa 72 të tjerë votuan kundër.

Interpelanca për Gashin nuk kaloi pasi deputetët e shumicës qeverisëse të VMRO-DPMNE-së, ZNAM dhe Vredi votuan kundër iniciativës së partisë “E Majta”, e cila kërkonte përgjegjësi nga Gashi për disa incidente të ndodhura në më pak se dy muaj.

Nevojiteshin votat e së paku 61 deputetëve për shkarkimin e Gashit nga posti.

Përkrahje për interpelancën e dha LSDM-ja opozitare, ndërsa në votim nuk morën pjesë deputetët e BDI-së, të cilët paraprakisht deklaruan se nuk do ta mbështesin interpelancën edhe pse kishin vërejtje për punën e Gashit.

Gashi kishte thënë gjatë një konference për media më 27 gusht se interpelanca ndaj tij nuk kishte qëndrueshmëri politike. Ai shpresonte se do të kishte paraqitje të argumenteve gjatë seancës dhe kishte paralajmëruar do ta respektonte vendimin e deputetëve se si të veprohet për këtë çështje.

Në kërkesën për interpelancë thuhej se Gashi kishte vepruar në mënyrë joprofesionale, jokushtetuese dhe ka dëmtuar sekularitetin e shtetit sepse ai ka lejuar që të kryhen rite fetare gjatë një mbledhjeje të një komisioni. Në kërkesë po ashtu përmendej edhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Gashi po ashtu akuzohet për shkeljen e ligjit për gjuhët, pasi betimin për kryeparlamentar e ka bërë fillimisht në gjuhën shqipe dhe jo maqedonase.

Sa i përket incidentit në Aeroportin e Shkupit, Gashi ka thënë se ai ka ndërhyrë vetëm për të shmangur ndonjë incident diplomatik.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Kryeparlamentari Gashi gjatë konferencës tha se pas telefonatës së Osmanit, ai dëshironte që së bashku me sigurimin e tij të shkonte në Aeroport, por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera. Sigurimi i tij shkoi në Aeroport dhe u informua më pas se incidenti ishte zgjidhur. Gashi shtoi se nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme.

Çfarë tha Presidenca për incidentin në aeroport?

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

Pas incidentit, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u konfrontuan me policët e Aeroportit, pasi kishin insistuar që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurimit dhe hapi procedurë ndaj dy truprojave të tjerë.

Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i nisi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqeodninë e Veriut dhe diskutoi me Mickoskin për këtë incident.

Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase./ REL