Dështon gjykimi për viza italiane, mungojnë të akuzuarit

Ka dështuar të mbahet seanca për 16 të akuzuarit për keqpërdorim me viza italiane.

Këta të akuzuar ishin pjesë e aktakuzës edhe me  Ukë Rugovën, djalin e ish-Presidentit, Ibrahim Rugova.

Megjithatë, procedura për këta të akuzuar u veçua në korrik të këtij viti.

Në këtë procedurë të akuzuar janë Fitim Beqiri, Azem Kosumiku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Kujtim Avdyli, Azem Kosunivci, Edison Idrizi, Begë Shaqiri, Osman Mehemti, Dritëro Voci, Valon Selimi, Fadil Ahmeti, Azad Bqiraj, Liridona Beqiraj, Ragip Gashi dhe Hasan Beqiraj.

Sipas prokurorisë këta janë të përfshirë në sigurimin e rreth 500 vizave italiane Schengen, në mënyrë të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kanë përfshirë rreth 500 persona si familjarë të familjes Rugova, me qëllim të përfitimit të këtyre vizave.

Shkak për shtyrjen e seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarve Ragip Gashi dhe  Hasan Beqiraj.

Pasi gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica konstatoi se nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance e njëjta u shty për datën 22 nëntor.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të akuzuarit të deklaroheshin rreth pranimit të fajësisë, e në këtë rast edhe prokurorja speciale Florije Shamolli i’u propozoi të akuzuarve të pranishëm të shqyrtonin mundësitë për të hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Së bashku në këtë rast janë të akuzuar edhe Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli mirëpo në seancën e datës 3 korrik  ndaj tyre është veçuar procedura për shkak të mungesës së akuzaurës Liridona Beqirit.

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për vizat italiane, Gjykata veçoi procedurën