Gjykimi për vrasje në tentativë - Foto: KALLXO.com

Dështon gjykimi për përleshjen me motive të hakmarrjes

Gjykata e Pejës ka dështuar të mbajë seancën gjyqësore kundër Sadik Hajdarajt, i cili akuzohet për vrasje në tentativë ndaj të dëmtuarit Burim Lushaj dhe për armëmbajtje pa leje, dhe kundër Burim Lushajt, i cili akuzohet për përdorim të armës.

I akuzuari Hajdaraj ishte dënuar nga gjykata e Pejës me një vit burgim efektiv dhe 500 euro gjobë.

Ndërsa, i akuzuari tjetër për përdorim të armës, Burim Lushaj, është dënuar me dy vjet burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda afatit prej tre vitesh nuk kryen vepër penale.

Por ky rast është kthyer në rigjykim pas ankesës së mbrojtjes të akuzuarit Hajdaraj, avokatit Sali Mekaj.

Seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Ahmet Rexhaj.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sami Sharraxhiu, gjyqtari Rexhaj nuk ka mundur të jetë prezent për shkak të shkaqeve shëndetësore.

Prezent nuk ishte as i akuzuari Lushaj, ndërsa avokati i tij, Dritëro Kollqaku, e arsyetoi mungesën e tij duke deklaruar i njëjti ishte jashtë shtetit dhe nuk ka pasur mundësi të vij për shkak të izolimit.

Sipas aktakuzës, Sadik Hajdaraj me motive të hakmarrjes ka tentuar ta privojë nga jeta Burim Lushajn, duke shtënë 8 herë në distancë prej 10 metra në drejtim të tij. Sipas dosjes së Prokurorisë, Lushaj ishte goditur me një predhë mbi gjurin e këmbës së majtë.

Nga ana tjetër, Burim Lushaj akuzohet nga Prokuroria se pasi ishte sulmuar nga Hajdaraj kishte shtënë me armë 5 herë radhazi.

I akuzuari dhe i dëmtuari rrëfejnë nga sa plumba i shkrepën kundër njëri-tjetrit