Foto: BQK

Dështon emërimi i anëtarit të tretë në bordin e BQK-së, Kuvendi vendos ta përsëris konkursin

Me 53 vota të pavlefshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka dështuar emërimi i një anëtari në bordin e Bankës Qendrore të Kosovës. Për këtë arsye është vendosur që të përsëritet konkursi për një anëtar joekzekutiv të këtij bordi.

Në rundin e dytë të votimit të përsëritur për një anëtar të bordit të BQK-së ishin Nuhi Ahmeti, i cili mori 27 vota dhe Imrije Zeqiri, e cila mori 16 vota nga votimi i 96 deputetëve që morën pjesë në votim.

“Asnjëri nga kandidatët në votimin e dytë nuk i mori votat e mjaftueshme për tu propozuar për anëtar joekzekutiv në bordin e Bankës Qendrore të Kosovës andaj përsëritet konkursi për një anëtar joekzekutiv të bordit të Bankës Qendore të Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në seancën e mbajtur më 23 nëntor, Kuvendi ka përzgjedhur dy anëtarë joekzekutiv të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi Jashari.

Dy konkurse janë shpallur për të plotësuar tri vende të lira në bordin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Në konkursin e parë është kërkuar vetëm një anëtar i bordit dhe për atë pozitë është zgjedhur kandidati Bashkim Nurboja me 51 vota. Kurse, në konkursin e dytë janë kërkuar dy anëtarë të bordit. Njëri prej kandidatëve është zgjedhur në votimin e parë në Kuvendin e Kosovës. Anëtare e bordit është zgjedhur Nora Latifi Jashari, e cila mori 45 vota të deputetëve.

Pesë persona kanë konkurruar për konkursin e parë. Ndërsa, në konkursin e dytë për dy anëtarë të bordit në garë ishin shtatë kandidatë.

KALLXO.com ka siguruar CV-të e këtyre kandidatëve.

Banka Qendrore e Kosovës që nga maji i vitit 2020 ka mbetur me bord të pakompletuar.

Kush janë kandidatët e propozuar për anëtarë të bordit të BQK-së?