Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Dështon Behgjet Pacolli, mbetet jashtë Kuvendit

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Behgjet Pacolli nuk ka arritur të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet e 6 tetorit. Koalicioni parazgjedhor Nisma-AKR-PD, në të cilin ka garuar Pacolli nuk e ka kaluar pragun për tu bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, nga zgjedhjet e nacionale 2019.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, Pacolli me 6 tetor ka marr vetëm 10 mijë e 525 vota, apo ka dal njeri i dytë i votuar në këtë koalicion. Pacolli në zgjedhjet e vitit 2017 kishte marrë 35 mijë e 766 vota.

Behgjet Pacolli në Qeverinë Haradinaj ka mbajtur pozitat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Nisma-AKR-PD ka marr 42 mijë  e 72 vota apo 4,984 për qind, përderisa për ta kaluar pragun nevojiten 5 për qind e votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nacionale të këtij viti.

Nga kjo garë elektorale, Lëvizja Vetëvendosje ka dal partia e parë, me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë; LDK më 6 tetori grumbulloi 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë. Partia e tretë ka dalë PDK me 178,645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë. Koalicioni AAK-PSD ka marr 96,883 vota apo 11,477% apo 14 deputetë.

Lista Serbe ka marr 10 deputetë apo 57,015 vota apo 6,754%.