Dështojnë zgjedhjet në Tërnoc, qytetarët nuk votuan fare

Që nga orët e para të mëngjesit, në Tërnoc do të duhej të fillonte procesi i votimit, por nuk ka nisur fare.

Kandidati për deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka fajësuar komisionarët e partisë së Ivica Daçiq për pengesa.

“Zgjedhjet nuk filluan fare sot në Tërnoc. Komisionarët e Ivica Daçiqit deshën ta bëjnë ligjin sot në Tërnoc, duke thënë se kjo është ‘kralevinë’. Nuk i lejuam e as që do t’i lejojmë”, ka thënë Kamberi në një reagim në Facebook.

Gjatë ditës, në Tërnoc pati edhe informacione për bombë por të njëjtat dolën të rreme.

Zgjedhjet në Tërnoc janë paraparë të mbahen sot për herë të katërt, pasi Gjykata Administrative vendosi në favor të ankesës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, në krye me Shaip Kamberin.

Në herën e fundit kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi nuk kishte arritur të sigurojë ulëse për 12 vota.

Kandidatit për deputet, Shaip Kamberi, i duhen gjithsej 610 vota.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644 vota të cilat nuk ia dhanë një mandat shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Procesi votimit në Tërnoc s’ka nis, Kamberi: Problem po bëjnë komisionerët e SPS-së