
Dështoi të mbahet seanca në procesin gjyqësor ‘Ukë Rugova 2’
Vdekja e një personi të afërm të prokurores së rastit Florije Shamolli, bëri që seanca e sotme në rastin ‘Uke Rugova 2’ të mos mbahet.
Ky proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku po përballet djali i ish presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që në opinion njihet si “mashtrimi me vizat italiane”.
Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga LDK.
Më 3 korrik të këtij viti u veçua procedura penale ndaj këtyre 14 të akuzuarve për të vazhduar gjykimin vetëm me Ukë Rugovën, Astrit Haraqinë, Izet Beqirin, Florjan Petanin, Qefser Bahollin.
Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahemti dhe Haxhi Islami, Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.
Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.
Në seancën e kaluar ata u deklaruan “plotësisht të pafajshëm” lidhur me këto akuza.
Seanca e radhës u caktua për datën 5 mars.