Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Dështimi i emisioneve, cilësia e tyre e marketingu përplasin disa anëtarë të bordit të RTK-së me menaxhmentin
Në mbledhjen e sotme të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) pati disa përplasje mes disa anëtarëve dhe menaxhmentit e një varg kritikash për raportin e punës të muajit korrik 2024.
Anëtari Besnik Boletini pati diskutime me zëvendësdrejtorin e RTK-së, Adi Krasta, lidhur me marketingun, ndërsa anëtarja Arta Berisha u përplas me drejtorin e televizionit, Rilind Gërvalla, sa i përket raportit të punës, për të cilin shumica e anëtarëve thanë se ka probleme të përsëritura, me theks te dështimi i emisioneve.
Pasi që Boletini tha se marketingu është në rënie edhe pyeti nëse ka ndonjë strategji nga menaxhmenti lidhur me këtë, zëvendësdrejtori Krasta reagoi ashpër duke thënë se marketingu fiton aq sa mundet të fitojë me emisione të dobëta që nuk shihen e as nuk shiten.
“Në qoftë se në 5 vjet marketingu ka nxjerrë nga 90 deri në 110 mijë euro, atëherë vendoset tavani 100 mijë euro, që është realiste. Në projeksionin buxhetor të RTK-së, me vendim të drejtorit (të atëhershëm, Shkumbin Ahmetxhekaj) nga 100 mijë euro, pretendimi buxhetor është vendosur 600 mijë euro artificialisht. Natyrisht se asnjë njeri me dy fije mend në kokë nuk e kupton që marketingu nuk mund të nxjerrë 600 mijë kur ka nxjerrë 5 vjet 100 mijë” – tha Krasta.
Ai pyeti se pse atëherë Festivali i Këngës ka realizuar 80 mijë euro nga marketingu. Krasta ishte vetë drejtor i këtij festivali.
Por, Boletini tha se arsyetimi se s’ka program për marketing është i papranueshëm. Ai shtoi se festivali është tre ditë dhe nuk mund të krahasohet me programacionin e gjatë.
Pasi që drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla, filloi të raportojë për muajt prill, maj, qershor në vend të korrikut, anëtarja tjetër Arta Berisha thumboi atë duke kritikuar edhe raportin e punës.
“Përmbajtja e raportit është me të njëjtat probleme, lëshime, por kur e kemi një drejtor të televizionit që neglizhon agjendën, duke folur për raporte të gabuara, të mos flasim më tej” – tha Berisha.
Gërvalla iu kundërpërgjigj duke e falënderuar për “gjuhën përçmuese ndaj tij”. Por, Berisha tha se kjo nuk është gjuhë përçmuese dhe e luti që t’i pranojë kritikat.
Edhe anëtari Dardan Beqiri tha se raporti përmban problemet e shqetësimet e njëjta, prandaj kërkoi ngritjen e një sistemi të qëndrueshëm.
“Është e nevojshme ngritja e sistemit, në RTK nuk funksionon sistemi. Me krejt bagazhin profesional që e ke, kjo përgjegjësi bie mbi ty. Nuk ka nevojë për masa siç thoni ju të tipit sovjetik, por sistemi i merr masat vetvetiu ndaj secilës çështje” – tha Beqiri drejtuar Krastës, i cili paraprakisht kishte thënë se masat ndëshkuese i takojnë regjimit sovjetik.
Fatime Lumi Qehaja pati një varg kritikash sa i përket mosrealizimit të skemës programore, numrit të vogël të mysafireve gra të ftuara në emisione e aktivitetit të ulët në gazetari hulumtuese.
Ndërsa, Biroll Urcan u shpreh i pakënaqur me sasinë e e programeve në gjuhët e komuniteteve joshumicë, duke thënë se duhet vepruar urgjentisht.
“Në vazhdimësi programet e gjuhëve të komuniteteve të tjera joshumicë nuk janë të mjaftueshme në sasi. Ligji specifikisht kërkon që të kemi 15 për qind të programeve për komunitete të tjera në RTK 1 dhe RTK 2. Nuk po shoh iniciativë për me ndryshu këtu. Urgjentisht duhet me bo diçka” – tha Urcan.
Kritika pati edhe për programin në boshnjakisht nga anëtari Radojica Mrdijinac. Ai tha se komuniteti serb paraqitet shumë keq në njërin emision boshnjak dhe pyeti nëse ai është emision nacionalist.
Drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla, tha se nuk ka vërejtur tendenca nacionaliste por u zotua se do ta analizojë këtë çështje.
Në këtë mbledhje sot u vendos edhe për hapjen e konkursve për drejtor të përgjithshëm dhe për udhëheqës të Njësisë së auditimit të brendshëm.
RTK ka hapur konkurs edhe për tre anëtarë të bordit më 28.08.2024, pas dorëheqjes së kryetarit të bordit, Besnik Boletini dhe anëtarëve Arta Berisha e Safet Kabashaj. Megjithatë, Ligji për RTK-në thotë që dorëheqja duhet të njoftohet të paktën tre muaj përpara, prandaj të tre do të vazhdojnë të jenë anëtarë edhe për tre muaj pas dorëheqjes.
Dorëheqjet erdhën pas skandalit të publikimit të një artikulli në RTK të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe financuara nga Serbia.
Prezentë në këtë mbledhje ishte edhe drejtori i radios, Arsim Halili.
Prej bordit mungoi vetëm Safet Kabashaj, i cili sipas nënkryetares Albulena Mehmeti nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Anëtarët e tjerë, Fatime Lumi Qehaj, Dardan Beqiri dhe Radojica Mrdijinac ishin prezentë fizikisht, ndërsa tre anëtarët e tjerë, Biroll Urcan, Besnik Boletini dhe Arta Berisha u lidhën online.