Dëshmon polici që hetoi vrasjen në rastin “Çekiçi” në Lipjan

Është mbajtur shqyrtimi gjyqësor për rastin që mban emrin “Çekiçi”, ku është dëgjuar polici hetues në cilësinë e dëshmitarit i ftuar nga mbrojtja e të akuzuarit.

Në këtë rast, të akuzuar kanë qenë Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu, për vrasjen e tani të ndjerit Naim Hajrizi në prill të vitit 2009, mirëpo Osman Spahiu ka pranuar veprën dhe i është shqiptuar dënimi.

Në seancën e sotme të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, nga mbrojtja e të akuzuarit Gëzim Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi, është ftuar që të dëshmojë polici hetues që në vitin 2009 ka qenë përgjegjës për rastin dëshmitari Lulzim Rrustemi.

Duke marrë parasysh se ky rast me ankesa të palëve në procedurë është kthyer dy herë në rigjykim nga Apeli, dëshmitarët kanë deklaruar edhe më herët, për këtë arsye edhe dëshmitari në fjalë deklaroi që mbetet në tërësi prapa deklaratave të dhëna në gjykimet e mëparshme.

Dëshmitari tregoi në detaje se si kishte pranuar rastin dhe si kishte iniciuar hetimet në vendin që ka dyshuar se është edhe vendi i ngjarjes, konkretisht në auto-servisin e tani të akuzuarit.

“Kam vërejtur që e tërë dyshemeja ka qenë me byk druri dhe byku ka qenë i freskët i pa prekur i pa përlyer. Unë gjithmonë merrem me atë çka shoh dhe çka mundet me ndodh”, tha dëshmitari.

Pas pyetjeve të një-pas-njëshme të avokates Kelmendi, dëshmitari vazhdoi të dëshmojë për rrjedhën e hapave që kanë ndërmarrë ata si persona zyrtarë.

“Ka ardhur forenzika është afruar në brendi të auto servisit. Ata paraprakisht e kanë pasur një përshkrim të ngjarjes prej paradites, ne i kemi sqaruar deri ku kanë shkuar gjërat dhe u kemi treguar se është e nevojshme të bëhet një ekzaminim këtu, sepse dyshojmë se është lidhur më personin e gjetur në Smallushë”, tha dëshmitari.

Më tutje, dëshmitari tregon se kur kanë hyrë në auto servis, vetëm janë rritur indikatorët që shtonin dyshimet se në atë vend është kryer vrasja në fjalë.

Në fund të dëshmisë së tij, kryetari i trupit Gjykues, Vesel Ismajli, pyeti dëshmitarin se a është në njohuri për një çekiç i cili ka mbërritur deri në gjykatë, mirëpo nuk dihet se nga kush e as se si, mirëpo pretendohet se është ai mjeti i kryerjes së vrasjes, pasi në të janë gjetur njollat e gjakut të viktimës sipas testit të ADN-së.

Dëshmitari tha që nuk ka njohuri për një provë të tillë.

Për këtë shqyrtim gjyqësor, ishte paraparë që të dëgjohet edhe dëshmitari tjetër i rastit Emin Beqiri, mirëpo njëri nga anëtarët e trupit gjykues, për arsye personale, nuk mundi të vazhdojë pjesëmarrjen në gjykim.

Ky rast nga Apeli me ankesë nga palët, është kthyer dy herë në rigjykim.

Gëzim Retkoceri po akuzohet se me datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e me qëllim që të fshehën gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën, të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim. Ndërsa, Retkoceri në gjykimin paraprak ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast, ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja, andaj tani edhe është duke u rigjykuar.

Shtyhet seanca për rastin e njohur si “Çekiçi”