Gjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit | Foto: KALLXO.com

Dëshmon në Gjykatë doktori që kishte pranuar trupin e vdekur të Marigona Osmanit

Mjeku Burim Maloku ka dëshmuar në gjykimin ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbët Sejdiut, që akuzohen se kanë vrarë 18-vjeçaren Marigona Osmani në gusht të vitit te kaluar.

Mjeku Burim Maloku, kishte qenë kujdestar në emergjencën e spitalit të Ferizajt, në ditën kur trupi i Marigona Osmanit ishte dërguar në spital.

Përveç mjekut Maloku, në seancë dëshmoi edhe eksperti i mjekësisë ligjore, i cili ka kryer autopsinë e viktimës, Naim Haliti.

Mjeku kujdestar Burim Maloku deklaroi se kur ka pranuar në emergjencë tani të ndjerën Marigona Osmani, ka vërejtur se vdekja e saj nuk ka qenë në çastet e fundit por kishte ndodhur më herët.

“E ndjera është sjellë nga dy persona, është sjellë pa shenja jete, ne krejt ekipi me shpejtësi i kemi mbledh aparaturat, por ajo ka qenë pa shenja jete dhe me shenja që vdekja ka ndodhur më herët dhe nuk është e çasteve të fundit, kam dal në korridor me i pyet djemtë që e kanë sjellë, por ata veç se ishin largu, pas kësaj e kemi thirr policinë dhe kemi kërku ekspertizë mjekoligjore” – tha mjeku kujdestar Maloku.

Pas tij, eksperti mjekoligjor elaboroi autopsinë e kryer.

Ai deklaroi se në raportin e autopsisë ka përshkruar të gjitha gjetjet në trupin e viktimës, kurse ndaj pretendimeve për dhunim ai nuk mund të paragjykojë sepse ato analiza i bën laboratori i Institutit të Forenzikës së Kosovës.

“Ne e kemi bërë përshkrimin e gjendjes objektive, të rrugëve gjenitale, e kemi bërë përshkrimin në detaje të tërë trupit, si dhe kemi bërë përshkrimin në raport të autopsisë, se materiali i cili është marrë në rrugët gjenitale është dërguar në laboratorin përkatës, për më tutje ne nuk mund t’i paragjykojmë të dhënat eventuale” – tha eksperti mjekoligjor Haliti.

Trupi gjykues vendosi se në mungesë të punëtorit të kompanisë së sigurimeve të kamerave që gjendeshin në banesën e të akuzuarit Dardan Krivaça, nuk mund të vazhdojë gjykimi.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën në një afat të pacaktuar kohorë deri në sigurimin e këtij dëshmitari, pasi që vlerësoi se dëshmia e tij është e domosdoshme.

Në seancën e e 9 nëntorit, u dëgjua nëë cilësinë e dëshmitarit, djali i dajës i të akuzuarit Dardan Krivaça, të cilin prokuroria e ka ftuar si dëshmitar pas pretendimeve të të akuzuarve se dëshmitari ka pasur marrëdhënie me tani të ndjerën, Marigona Osmanin.

Në seancën e djeshme, i akuzuari Krivaça e quajti dëshmitarin si “personi që i ka shkatërruar jetën”.

Djali i dajës se Dardan Krivaçes jep dëshmi para gjykatës

Në seancat e kaluara, kur është dhënë fjala hyrëse, të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, nuk e kishin pranuar fajësinëpër veprat që prokuroria po i akuzonte ata.

Prokurori Avdiu: Ngjarja makabër që tronditi opinionin do të vërtetohet

Gjithashtu, në cilësinë e dëshmitarëve, para disa seancave janë dëgjuar edhe prindërit e viktimës, të cilët deklaruan se kanë vërejtur frikë dhe ndrojtje te vajza e tyre.

Nis gjykimi i Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit, dëshmojnë prindërit e 18-vjeçares

Rasti që ka tronditur opinionin publik ka ndodhur më 22 gusht 2021.

Një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Bëhej fjalë për Marigona Osmanin, e cila sipas Prokurorisë ishte vrarë mizorisht nga Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu.

Dosja e Prokurorisë

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.