Dëshmon në gjykatë burri që kishte qenë tri herë i akuzuar në rastin e vrasjes së policëve

Gjykata e Prishtinës ka dëgjuar sot dëshmitë e Arben Nezirajt, Bajram Kiqmarit dhe Jeton Sylejmanit lidhur me rastin e vrasjes së një polici të Kosovës dhe një të UNMIK-ut më 2004.

Momentalisht për këtë rast po akuzohen Bedri Krasniqi e Alban Dizdari.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga  Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar, pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Sot dëshmoi Bajram Kiqmari i cili tha se Bedri Krasniqin e njihte nga viti 2006, ngase të dy kishin qëndruar në një pavijon në Dubravë, me të cilin kishin pasur shëtitje të përbashkëta .

Ndërsa për të akuzuarin Alban Dizdari deklaroi se e njihte nga viti 2017, në sallë të gjykimit kur kishin qenë bashkë të akuzuar.

Ai tha se emrin e të akuzuarit Alban Dizdari, nuk e kishte dëgjuar më përpara.

“ Unë kam qenë 3 here i akuzum dhe jam dal i pafajshëm, sepse skam pas gjë, të bëjë me këtë rast, d.m.th. 3 herë”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se data 24 mars 2004, nuk ishte diçka e veçantë për të.

Ndërsa lidhur me personat e përfshirë në këtë rast, deklaroi se nuk i kishte njohur dhe se nuk kishte të bënte asgjë me ta dhe shtoi se asnjëherë s’kishte qene i përfshirë në veture me këta persona te dyshuar

Gjatë vitit 2004, dëshmitari deklaroi se ka qenë në Kosovë, dhe se ishte marr me bujqësi.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri,  Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga  Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar, pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Eprori rrëfen momentin kur Policia u sulmua me top dore e kallashnikov