Rasti "Llune" në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Foto: Adile Agushi/KALLXO.xom

Dëshmojnë dy persona në gjykimin për shpërthimin tek zyrat e KKZ-në Mitrovicë të Veriut

Në gjykimin ndaj katër akuzuarve Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune” dhe ish-policëve Aleksandër Vlajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, në seancën e datës 31.01.2025, në Gjykatën e Prishtinës dëshminë para trupit gjykues e kanë dhënë dëshmitarët Marko Milliq dhe Bratisllav Periq.

Katër të pandehurit po akuzohen për sulmin me granata në Zyrat e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut , në dhjetor të vitit 2022.

Dëshmitari Marko Miliq deklaroi se punon që nga viti 2010 në Fondin Pensional.

Lidhur me datën kritike dëshmitari Milliq tha se ka qenë në vendin e punës dhe pasi diçka kishte shpërthyer ai dhe punëtorët e tjerë kishin dalë jashtë për të shikuar.

Dëshmitari Milliq tha se gjatë qëndrimit për 5 minuta jashtë, ai e kishte takuar të akuzuarin Aleksandër Vllaiq të cilin e kishte përshëndetur.

“Unë iu kam thënë se kam qenë në zyre kur ka ndodhë ky eksplodim të gjithë kemi zbritur poshtë, Aleksandër Vllaiq ka kaluar aty, jemi përshëndetur, më ka thënë se ka qenë te mjeshtri, pastaj më ka thirre drejtori, kemi hyp në veturë dhe kemi shkuar në qytet”- tha dëshmitari Milliq.

Në pyetjen e prokurorit Bekim Kodraliu lidhur me atë se zyra ku ai punon a funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës?.

“Nuk e di, ne jemi sipas sistemit serb. Nuk jemi sipas sistemit të Kosovës”- u përgjigj dëshmitari Milliq.

“Eksplodimi në bazë të aktakuzës ka ndodhë përafërsisht në ora 14:39 minuta. Ju punoni deri në ora 14:30. Pse keni ndejtur pas orës 14:30? – ishte pyetja e gjyqtarit Valon Kurtaj për dëshmitarin.

“Kjo duhet të verifikohet atë ditë a kemi punuar më gjatë. Aty kemi qenë të gjithë, ndoshta kemi punuar edhe jashtë orarit por të gjithë kemi qenë aty”-u përgjigj dëshmitari Milliq.

Tutje, u dëgjua edhe dëshmitari Bratisllav Periq. I njëjti deklaroi se punon në Mitrovicë, në shtëpinë e shëndetit në emergjencë si shofer.

Për datën kritike me datë 06.12.2022, dëshmitari Periq tha se kishte pasur dy dalje në teren, njëra në ora 10:00 dhe tjetra në ora 15:00.

Dëshmitari Periq deklaroi se pagën nga ku punon ai e merr nga Republika e Serbisë.

Lidhur me veturën me të cilën kishte dalë në teren ditën kritike, dëshmitari tha se ajo veturë nuk është më në funksion dhe se nuk ishte i sigurtë se çfarë tabela të regjistrimit ka pasur vetura.

Dëshmitari Periq lidhur me thirrjet tha se ishte njoftuar nga doktoresha e cila është udhëheqëse e ekipit.

Tutje, dëshmitari Periq për thirrjen në ora 10:00 deklaroi se nuk i kujtohet se ku ka qenë.

Ndërsa për pyetjen se nga kush i kishte pranuar thirrjen në ora 15:00 për të dalë në teren. Dëshmitari Periq tha se nuk i kujtohet.

“Nuk e di nuk më kujtohet. Unë jam vetëm shofer, vetëm vozis” – tha ai.

Tutje, dëshmitari tha se kur kishin arritur te vendi i ngjarjes vetëm disa njerëz e kishin ngritur dorën dhe ata ishin ndalur.

I njëjti tha se doktoresha kishte biseduar me këta persona, dhe tha se personat të cilët kishin qenë në turmë kishin qenë persona me maska.

Në fillim të seancës mbrojtësit e dy të akuzuarve Millun Millenkoviq dhe Aleksandër Vllaiq, avokatët Miodrag Berklaq dhe Millosh Deleviq kanë thënë se dy të mbrojturit e tyre janë ankuar për kushtet të cilat i kanë pasur gjatë ditës së sotme duke thënë se prej në mëngjes janë sjellë në Gjykatë.

Seancat e radhës lidhur më këtë çështje penale janë caktuar për në muajin mars 2025.

Kjo çështje po gjykohet nga Valon Kurtaj (kryetar) dhe Violeta Namani-Hajra e Arben Hoti (anëtarë).

Kujtojmë se të akuzuarit Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune” dhe ish-policët Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq ishin deklaruar të pafajshëm.

KALLXO.com kishte siguruar Dosjen e Prokurorisë, në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike, si dhe komunikimet e tyre elektronike.

“Prej sot zyrtarisht unë jam Zëvendëskomandant i Brigadës së Veriut… Nuk ka tani mbrojtje civile, tani ka Brigadë të Veriut.” – ishte një prej mesazheve të cilat në Dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.

“Aty shkunden dardhat… t’i gjuaj ndonjë mollë.” – ishin mesazhet e këmbyera në mes të Dejan Pantiqit dhe Miomir Vakiqit – sipas dosjes, duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok-bomba. Shok-bombat kishin shpërthyer, ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve.

Granatat të cilat – sipas Dosjes – i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.

Ambulanca në fjalë thuhet në Dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike – duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë së Prokurorisë së Mitrovicës.

Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja.

Ndër provat e paraqitura në Aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune” – përmbajtjen e së cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.

“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, çojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë.” – ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviqi dy javë para sulmit.

Po ashtu, në Dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.

Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e Zyrave me gurë – duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në Zyre.

Më tutje, Dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.

E tërë kjo – sipas Dosjes – thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, përmes pamundësimit të Zgjedhjeve lokale.

Kujtojmë se i akuzuari Millun Millenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në trazirat e majit të vitit 2023 në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se Millenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit, gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore te policët, si dhe vetë i akuzuari.

I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.

“Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit deri në mars të këtij viti.

Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.

Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.

Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “Aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa, shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq, me mesazhin “Hidhjani nga një mollë”.

Miomir Vakiq gjatë deklaratës në Polici po ashtu kishte mohuar veprimet inkriminuese, të cilat rëndojnë mbi të.

Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.

Po ashtu, edhe i akuzuari Aleksandër Vllajiq kishte mohuar akuzat. Ai ka mohuar po ashtu edhe të jetë pjesë e Organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat janë shpallur Organizata terroriste nga Qeveria e Republikës së Kosovës.