Objekti ku dyshohet se funksionin institucioni paralel i Drejtorisë së tatimeve në Mitrovicë të Veriut - Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut- VIDEO

Në vargun e mbyljles së objekteve ilegale paralele në veri të vendit po pretendohet se ende veprojnë të tilla në këtë zonë.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se në “Lagjen e Boshnjakëve” po operon objekti paralel me “Drejtorinë për Tatim”.

Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksionon e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel ku kishte punojnës në të dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka konkretisht po ofrohet gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerr letërnjoftimin e Serbisë”.

“Ky dokument duhet të nxirret në komunë. Na jena “Administrata Tatimore” këtu zotëri”- ishte përgjigjja e punojnësve.

 

Objekti ilegal paralel në të cilindyshohet se funksionon “Administrata Tatimore” në Mitrovicë të Veriut
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka konfirmuar se ka ende objekte ilegale paralele të cilat operojnë në veri.

“Zakonisht çfarë ne veprojmë është që e njoftojmë prokurorinë për raste të tilla dhe mandej edhe veprojmë në koordinim me ta. Por nuk mund të diskutojmë diçka më shumë se cilat njësi, cilat sektore janë duke funksionu sistemet paralele. Këtu sistemet paralele janë duke funksionu edhe shëndetësia edhe arsimi, institucion paralel është ai. Kështu që varet mandej nga kërkesat të cilat mund të na vijnë nga agjensione të ndryshme për me reagu na”- tha Elshani.

I pyetur se kur pritet të mbyllen këto objekte ilegale paralele, Elshani nuk dha një afat të caktuar.

“Atë çka ne mund ta themi është se puna jonë bazohet në informacionet të cilat pranohen po e zëmë nga ndonjë ministri përkatëse. D.m.th e pranojmë një informacion në bazë të atij informacioni ne veprojmë, shkojmë koordinohem me prokurorinë dhe mandej konfiskohen provat materiale apo një gjë e tillë. Deri më tani kjo ka shku, do të shohim se si do të veprojmë më tutje të koordinuar me institucionet tona”- përfundoi ai.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin konfirmoi për KALLXO.com ekzistencën e objekteve ilegale paralele në veri të vendit.

“Po sipas njoftimeve përmes mediave janë disa objekte në pronat private të cilat po funksionojnë sidomos Drejtoria për Sport, Drejtoria për Bujqësi. Sepse na në kuadër të komunës nuk i kemi ato objekte në pronën e kuvendit komunal, ani ka naj rast sigurisht do t`i ndërmarrim masat për largimin e atyre institucioneve nga pronat komunale por e di sepse jam banor i lagjes qaty ngat i kam p.sh si: Komuna e Vushtrrisë, Drejtoria e Bujqësisë është Qendra e Kulturës e cila funksionon”- tha Ugljanin.

Ai shtoi se këto objekte herë pas here hapen gjatë ditës.

“Kur janë ndërmarr masat kundër strukturave paralele ata faktikisht vetë i kanë mbyll qato zyre por nganjëherë edhe po vijnë në punë po lajmërohen po janë edhe disa për pronat, për tatimet të cilat funksionojnë në kuadër të lagjes. Te “Tre Rrokaqiejtë” janë Drejtoria për Sport dhe Kulturë por sigurisht masat duhet me i ndërmarr Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne si kuvend siç paralajmërova që e kemi naj rast në pronë të Kuvendit Komunal ne do t`i ndërmarrim masat për largimin e atyre institucioneve”- përfundoi kryesuesi.

Objekti i pretenduar si paralel e ashtuquajtura “Komuna Paralele e Vushtrrisë”, objekti ngjitas saj dhe objekti paralel tek “Tre Rrokaqiejtë” në të cilin Ugljanin pretendonte se funksionon “Drejtoria për Rini dhe Sport”, derisa KALLXO.com ishte në terren më 30.10.2024 vërejti se të njejtat ishin të mbyllura.

 

Objekti ky dyshohet se vepron Komuna Paralele e Vushtrrisë (mbyllur)
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Objekti i dyshuar paralel ngjitas Komunës Paralele të Vushtrrisë (mbyllur)
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

 

Objekti i dyshuar paralel te “Tre Rrokaqejtë”, Drejtoria për Sport dhe Kulturë (mbyllur)
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Policia e Kosovës e ka mbyllur më 16.10.2024 ndërtesën e cila ishte shfrytëzuar ilegalisht nga Serbia si Komunë paralele e Skenderajt.

Ky institucion ilegal serb kishte selinë në Mitrovicë të Veriut.

Objekti në fjalë ishte në pronësi të Trepçës, por se tashmë menaxhohet nga AKP-ja.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar, më 30.08.2024 se janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Si rrjedhojë, ministri Krasniqi ka bërë të ditur komunat paralele të cilët nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Sipas ministrit Krasniqi, pesë komunat paralele që ka përmendur se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.

Ministri Krasniqi konfirmon mbylljen e 5 institucioneve paralele në veri të Kosovës