Dëshmitë e ish-punëtorit të “Infrakos” për hekurudhën: Dëmet janë miliona

“Drejtësia në Kosovë”, të premten  transmetoi hulumtimin se si brenda Ndërmarrjes Publike “Infrakos” ishte bërë një vlerësim i cili përcaktonte një shumë prej 104 mijë eurove për të cilën thuhej se ishte shuma e dëmit që i ishte shkaktuar hekurudhës në Prizren.

Dëshmi të siguruara nga “Drejtësia në Kosovë” shpjegojnë se shuma e përcaktuar nga ana e “Infrakos” si dëm i shkaktuar nuk është real ndërsa një rrëfim i një ish- punëtori tregon se vetëm një pjesë e vogël në Prizren në afërsi të stacionit të trenit ka dëm në vlerë të 200 mijë eurove pa llogaritur fuqinë punëtore.

“Kjo a e din çka mundet me kanë (dokumenti i “Infrakos”) që janë vjedhur dhe janë lajmëruar në polici mund të jenë këto dëmë (të shënuara në dokument). Unë e kam dërguar dëmin unë s[jam ekspert. Çfarë 200 metra, kejt ren deri në Krushë të Vogël edhe binarë janë dëmtuar e kanë marrë jo vetëm elemente për këtë punë. Veç qatje (në afërsi të stacionit të trenit) me shku mbi 200 mijë euro ka dëme”, tha punëtori.

Edhe Drejtori i Inspeksionit, Islam Thaqi kishte thënë në emisionin “Drejtësia në Kosovë” se dëmi i shkaktuar ndaj “Infrakos” shihet vizualisht dhe ai nuk është vlera e cila është përcaktuar nga vetë “Infrakos”.

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht dëshmi se si njerëz brenda Ndërmarrjes “Infrakos” u mundësuan strukturave udhëheqëse politike në Prizren që në një rast penal të kishin më të lehtë akuzën që ishte ngritur.

Ani pse në pamjet e transmetuara nga “Drejtësia në Kosovë” vërehet se thuajse gjithë linja e hekurudhës është e dëmtuar dhe vlera e saj mund të jetë milionshe, një gjë të tillë e mohojnë drejtuesit e Infrakos duke thënë se dëmi është vlerësuar vetëm 104 mijë euro.

“Drejtësia në Kosovë” kishte siguruar një dokument të datës 11 dhjetor nga ana e Drejtorit të Mirëmbajtjes, Nexhmi Rama dhe të njëjtin dokument ia kishte paraqitur prokurorit.

Prokurori i rastit, Genc Nixha ka konfirmuar se për dokumentin kishte dëgjuar vetëm nga ana e ekipit të “Drejtësia në Kosovë” dhe të njëjtin dokument sipas tij “Infrakos” do të duhej ta paraqiste pasi ishte i obliguar.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, tre ish- drejtorëve të Urbanizmit në Prizren, një drejtori të inspeksionit në po këtë komunë, një inspektori, Drejtorit të “Infrakos”-it dhe një zyrtari të patundshmërisë.

Të shtatë personave i ishte ngarkuar vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëm të shkaktuar ndaj “Infrakos”-it në vlerë të 104 mijë e 674 eurove.

Linja hekurudhore e cila përshkon qytetin e Prizrenit është e dëmtuar dhe e pa përdorshme.

Ani pse një vlerë e kostos së riparimit është vlerësuar nga ana e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së “Infrakos” në vlerë prej 104 mijë eurove, në të nuk hyjnë dëmet që janë shkaktuar për këtë ndërmarrje nga uzurpimet e pronave dhe fuqisë punëtore.

Në emisionin e sotëm u vu në pah se dëmet të cilat shihen vizualisht, nuk janë vetëm mjëra euro por mund të kalojnë miliona.