Dëshmitari: Valbona Ndrecaj i tha bashkëshortit “Ti ke dashtë me më shitë”

I akuzuari për vrasjen e gruas së tij Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij 9 vjeçare, Pjetër Ndrecaj është sjellë para Gjykatës në Gjakovë me jelek antiplumb.

Në seancën e sotme si dëshmitar u dëgjua djali i hallës së Valbona Ndrecajt, Lush Krasniqi.

Dëshmitari tregoi se bashkë me burra të tjerë kishte kontribuar në bisedimet e dy familjeve Ndrecaj dhe Marku, për bashkimin e çiftit

Ai tha se kishte propozuar që çifti Ndrecaj, të mos nguteshin që të ndaheshin përfundimisht pranë gjykatës, por që fillimisht të qetësohen e të mendojnë.

Lush Krasniqi tregoi se kur kishin shkuar për zgjidhjen e problemit të tyre, Pjetri ia kishte shtrirë dorën Valbonës për ta përshëndetur, ndërsa ajo kishte refuzuar përshëndetjen.

Ai tregoi se Valbona asesi nuk ishte pajtuar që të kthehej tek burri i saj dhe për një moment i kishte thënë Pjetrit, “ti ke dashtë me më shitë”.

Dëshmitari Lush Krasniqi, tregoi se Pjetër Ndrecaj, pas dëgjimit të fjalëve të Valbonës, familjes së saj ju kishte thënë “më keni borxh”.

Lush Krasniqi tha se kishte biseduar edhe personalisht me Valbonën për kthimin e saj tek Pjetri, po që përgjigjja e saj kishte qenë “jo”.

Pas dëshmisë së Lush Krasniqit,  avokati Ndrec Dodaj, ndonëse nuk i parashtroi ndonjë pyetje dëshmitarit, ai  dha vërejtje në dëshminë e tij.

Ndërkaq trupi gjykues me kryetar Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Mizair Shabani dhe Ilir Rashkaj, caktuan datën 18 shkurt për dëgjimin e dy dëshmitarëve të tjerë të cilët do të sillen me detyrim në gjykatë dhe më pas për të vazhduar me daljen në vendin e ngjarjes.

Paraprakisht gjykatësi Gëzim Pozhegu, njoftoi se nga mbrojtësi i të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokati Ndrec Dodaj ishte kërkuar që të nxirreshin dy dosje shëndetësore të klientit të tij.

Avokati Dodaj me parashtresë kishte kërkuar gjykatës që të bëhej kërkimi i dosjes shëndetësore të të akuzuarit nga burgu i Dubravës si dhe të dhënat apo raportet shëndetësore të spitalit “Isa Grezda”, në Gjakovë.

Ai shtohet se nëse kjo e fundit nuk mund të sigurohet atëherë si dëshmitar duhet të ftohet neuropsikiatri doktori Mahmut Lila.

Një kërkesë të tillë, gjykata e aprovoi duke vazhduar më pas me dëshminë e dëshmitarit Lush Krasniqi.

Në këtë rast gjyqësor, kishin dëshmuar edhe dy vëllezërit e Valbonës, Shkelzen dhe Kujtim Marku.

Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Bëhet e ditur tashmë se ishte djegur shtëpia ku jetonte Familja e Valbona Marku Ndrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj dyshohet se ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.