Dëshmitari thotë se i ndoqi prapa me armë burrat me uniforma të UÇK-së që ia kishin marrë familjarët

Dëshmitari i Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka deklaruar se disa burra me uniforma të UÇK-së ia morën sipas tij të afërmit dhe ai e mori e armën dhe i ndoqi pas.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Seanca e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vijuar me dëshminë e dëshmitarit të pestë të ZPS-së i cili është dëshmitari i mbrojtur.

Dëshmitari i mbrojtur me nr. 3165 ka konfirmuar se pasi pjesëtarë të UÇK-së ia morën të afërmit e tij ai shkoi prapa tyre që të kuptojë se çfarë ka ndodhur.

“Pasi e kam marrë kerrin, kam marrë edhe armën edhe kam hyp në kerrin që i kanë marrë të afërmit e mi. Në dalje të fshatit i kanë zbrit dy të afërmit e mi nga makina, edhe babën e kishin lanë brenda në makinë….”., ka deklaruar ai.

Dëshmitari tutje deklaroi se Policia ishte rreth 8 kilometra larg dhe ishte nën kontroll të UÇK-së.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit filloi më 3 prill 2023.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani,140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.